Google ADS

Gruevski zotohet se punon për shqiptarët më shumë se Zaevi

16:31 | 14 Mars 2017
Arbresh.info
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në “Facebook”, ka shkruar se edhe pse vendi po përballet me çështje dhe sfida serioze sa i përket ekzistimit dhe funksionimit të saj, VMRO-DPMNE, “po gjen forca që të përmbush atë që e ka premtuar para opinionit, pa dalluar se për cilën bashkësi etnike bëhet fjalë”, njofton Portalb.mk.
 “Përderisa Zaev po mundohet të mashtron qytetarët shqiptarë me oferta të cilat nuk do ta përmirësojnë jetën e tyre, VMRO-DPMNE po realizon punë konkrete, ju mundëson maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbeve, boshnjakëve dhe vllehve në rajonin e Pollogut të kenë tubacion kryesor për furnizim me gaz natyror. Siç kemi premtuar në fushatë, tani më filloi ndërtimi i gazëpërçuesit nga Shkupi deri në Tetovë dhe Gostivar, si faza e parë, kjo në vlerë prej 29 milion euro, i cili do të ndërtohet në dy vitet e ardhshme”, ka shkruar Gruevski në “Facebook”.

Sipas tij, realizimi i projekteve të tilla është mesazhe deri tek ata që dëshirojnë të prishin shtetit.

“Ne nuk do ta lejojmë këtë, as që të prishin bashkëjetesën në Maqedoni nëpërmjet ndarjeve, hapjen e çështjeve që nuk janë lëndë e bashkëjetesës por e konfliktit. VMRO-DPMNE do të vazhdoj të ndërtoj dhe krijoj, të realizoj premtime nga të cilat do të kenë dobi të gjithë qytetarët e Maqedonisë, edhe maqedonasit edhe shqiptarë dhe gjithë të tjerët”, shkruan Gruevski.

Ai ka thënë se VMRO-DPMNE kujdeset për të gjithë dhe kjo e bën të dallojnë nga LSDM.

Çfarë mbajnë mend shqiptarët nga Gruevski?

Edhe përskaj këtyre deklaratave të Gruevskit, rikujtojmë se ai dhe partia e tij janë ata të cilët i kanë iniciuar protestat e fundit të përkrahësve të VMRO-DPMNE-së kundër Platformës Shqiptare, gjegjësisht kërkesave të shqiptarëve për barazi në Maqedoni, të cilat Gruevski bashkë me presidentin Gjorge Ivanov dhe bashkëpartiakët e tyre i cilësojnë si “grusht-shtet”.

Në protestat, ku në krye të së njëjtave qëndrojnë persona të ekspozuar të VMRO-DPMNE-së, u bënë thirrje nacionaliste për “Maqedoni të pastër” dhe u kërkuan “dhoma gazi për shqiptarët e mallkuar”.

Gruevski është po ai, i cili në intervistën e tij për kanalin proqeveritar “Sitel” tha se nëse pranohet dygjuhësia në Maqedoni, “do të ketë problem në shtet”.

Ky fjalor nuk është i panjohur për opinionin, pasi që ai gjatë kohës së negociatave me BDI-në për formim të Qeverisë pati një sërë intervistash, në të cilat thoshte se “është i mirë por mediat dhe partitë politike shqiptare e pasqyrojnë atë si person i cili nuk është i mirë për shqiptarët”, por menjëherë pasi dështuan bisedimet, për Gruevskin dygjuhësia në Maqedoni u bë “kërkesë nacional-romantike”.

VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit, gjithashtu do të mbahet mend edhe për fjalorin e saj parazgjedhor anti-shqiptar dhe anti-perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Analizat e njohësve të çështjeve politike vlerësuan se Nikolla Gruevski nuk dallon nga politika e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç.

Analiza e Portalb për qeverisjen e VMRO-DPMNE-së gjithashtu nxorri 12 arsye pse duhet thënë Gruevskit JO!  Për koalicion.

Partitë shqiptare, patën dënuar retorikën e Nikolla Gruevskit në raport me shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme