Filloi fushata e repelimit të kafshëve në Malishevë

11:48 | 14 Mars 2017
Arbresh.info

Sot, në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e repelimit të kafshëve, si masë parandaluese, në kuadër të zbatimit të strategjisë për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK). Repelimi i kafshëve bëhet nga Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit (AVUK), realizohet nga kompania “Fauna”, ndërsa i tërë procesi mbikëqyret nga Shtabi Komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Fushata e repelimit të kafshëve, ka filluar sot në fshatrat Senik dhe Bardh, vendbanime këto të përcaktuara nga shtabi komunal, ndërsa procesi i repelimit do të vazhdohet pa ndërprerë në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës.

Repelimin e kafshëve, e kanë inspektuar sot drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha dhe ai për bujqësi, Murat Hoxha të cilët edhe janë anëtar të shtabit komunal. Sipas drejtorit Berisha, procesi i repelimit ka filluar dhe po vazhdon mirë, pa probleme, ndërsa do të përfshihen të gjitha vendbanimet, sipas orarit të paraparë nga shtabi.

“Repelimi i kafshëve, është njëra prej masave më efikase në parandalimin e EHKK, pasi repelimi konsiderohet si njëra prej masave, e cila e ndërpret ciklin e rriqrave dhe parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në oborre apo stalla dhe rrjedhimisht edhe kontaktin e rriqrave me njerëz”, tha Berisha.

Rriqrat janë bartës të virusit vdekjeprurës të etheve hemorragjike krime kongo, ndërsa në Komunën e Malishevës, që nga pas lufta e deri në vitin 2013, kanë vdekur 18 persona, kurse në tri vitet e fundit, nuk ka pasur vdekje, madje në vitin 2016 nuk është shënuar asnjë rast i infektimit me këtë virus. Një prej masave e cila ndikuar në uljen e këtyre rasteve, është edhe repelimi i kafshëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme