Japonia tregon ‘muskujt’, dërgon luftanijen më të madhe në Detin e Kinës Jugore

22:10 | 13 Mars 2017
Trina Galanxhi

Japonia planifikon të dërgojë luftanijen e saj më të madhe në një tur 3-mujor përgjatë detit të Kinës së Jugut, duke nisur prej majit, në atë që konsiderohet si shfaqja më e madhe e forcës detare në rajon që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kina ka pretendime thuajse mbi të gjithë hapësirën e diskutueshme ujore, ndërsa prania gjithnjë e në rritje ushtarake e saj ka shtuar shqetësimet në Japoni dhe vendet e Perëndimit. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar patrullime të rregullta nga ajri dhe nga deti në këtë zonë të diskutueshme, për të siguruar të drejtat dhe lirinë e lundrimit.

Helikoptermbajtësja “Izumo”, e certifikuar vetëm dy vite më parë për lundrim, do të ketë ndalesa në Singapor, Indonezi, Filipine, sërish Indonezi dhe Sri Lanka, përpara se t’i bashkohet stërvitjes së përbashkët detare “Malabar” me luftanijet indiane dhe amerikane në oqeanin Indian në muajin korrik. Në Japoni, “Izumo” do të rikthehet gjatë muajit gusht.

“Qëllimi është të testohen kapacitetet e Izumos, duke e dërguar atë në një mision të gjerë”, tha njëri prej burimeve të “Reuters”, që ka njohuri mbi planin. “Ajo do të bashkohet me stërvitjen e Marinës amerikane në detin e Kinës Jugore”, shtoi ai në kushtet e anonimatit, për shkak se nuk është i autorizuar të flasë për mediet.

Një zëdhënës i Forcës vetëmbrojtëse Detare të Japonisë ka refuzuar të komentojë mbi këtë plan.

Taivani, Malajzia, Vietnami, Filipinet dhe Brunei kanë gjithashtu pretendime mbi këto ujëra, tejet të përshtatshme për peshkim, por edhe të pasura me depozita nafte dhe gazi natyror, e ku kalon thuajse 5 trilionë dollarë aktivitet tregtar çdo vit. Japonia vet nuk ka pretendime mbi këto ujëra, por me Kinën ka gjithashtu një mosmarrëveshje detare për ujërat e detit të Kinës Lindore.

Operacioni që do të zhvillohet nën flamurin japonez vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Donald Trumpit duket se po mbajnë një linjë të ashpër me Kinën. Uashingtoni ka kritikuar ndërtimin e ishujve artificialë nga Kina, si dhe ngritjen e infrastrukturës ushtarake në to, që sipas të gjitha gjasave dhe dyshimeve, do të shfrytëzohen për të penguar lëvizjen e lirë detare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme