Haradinaj: Nëse Qeveria vonon projektligjin e Ushtrisë, e bëjmë deputetët

18:44 | 13 Mars 2017
Arbresh.info

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka paralajmëruar qeverinë se nëse ajo vonohet me procedimin e projektligjit, një gjë të tillë do ta bëjë ai vet.

“Jemi në një situatë të palakmuar, sepse askush nga ekzekutivi nuk po e merr guximin për të deklaruar një qëndrim. Por, çkado që ata bëjnë i kanë 30 ditë afat [për procedim]. Nëse brenda këtyre 30 ditëve vonohen, atëherë ne do ta marrim nismën përmes deputeteve, anëtarëve të komisionit, sepse këtë e lejon edhe rregullorja e Kuvendit edhe Kushtetuta”, ka thënë Haradinaj.

“Por, e mira e të mirës do të ishte që ai ligj të sponsorizohet nga ekzekutivi”, ka deklaruar ai.

Haradinaj tha se qëllimi nuk është që Kosova t’i dëmtojë raportet me faktorin ndërkombëtar, por sipas tij, Kosova ka nevojë që të krijojë një mekanizëm mbrojtës.

“Gjithmonë ne po themi se do të jemi partner. Do të jemi anëtar të NATO-s. Por, me çka do të jemi anëtar të NATO-s?! Nuk mund të jemi anëtar të NATO-s, derisa nuk kemi krijuar komponentin, në këtë rast Forcën e Sigurisë”, tha Haradinaj.

Ai ka pranuar se Kosova nuk mund ta themelojë ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese, për shkak të mospërkrahjes nga Lista Serbe, andaj edhe po shkohet me planin B, përkatësisht që kjo çështje të përmbyllet me ndryshimet ligjore. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme