Flasin ushtarakët lidhur me shndërrimin e FSK-së në ushtri

20:07 | 11 Mars 2017
Arbresh.info

Ligji i propozuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për ndërrimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shndërrimin e saj në ushtri, ka ngjallur reagime të shumta edhe nga eksponentë të bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Greg Delawie u deklarua dy herë rreth Ligjit për ushtrinë të propozuar nga Thaçi, duke thënë ndër të tjera se nëse ushtria formohet pa ndryshime kushtetuese, Amerika mund të detyrohet ta ndërpresë përkrahjen dhënë Kosovës në këtë fushë.

Tre profesionistë të dalë nga Akademia Ushtarake janë deklaruar për këtë çështje.

Ish-oficeri i lartë i UÇK’së, ushtaraku Fadil Demiri, thotë se procesi i shndërrimit të FSK’së në ushtri nuk është i thjeshtë dhe nuk mund të bëhet ‘brenda natës’.

Duke folur për gazetametro.net, Demiri tha se i tërë procesi i formimit të ushtrisë është shumë i kushtueshëm, dhe nëse Kosova nuk merr mbështetje nga partnerët në këtë çështje, vështirë se mund të përballohen të gjitha detyrimet.

“Në momentin kur FSK’ja fillon transformimin i duhet te pajiset me mjete teknike bashkëkohore të cilat kërkojne kuadro profesionale. Krejt kjo ndërlidhet me mjete të konsiderueshme materiale dhe nëse nuk kemi donacione nga partnerët strategjik vështirë që mund ta perballojmë”, vlerëson Demiri, duke shtuar se vendimi për ushtrinë duhet të merret në partneritet me SHBA’në dhe NATO’n.

Sa i përket propozimit të Presidentit Thaçi Demiri mendon se Themelimi i ushtrisë me ligj është më shumë një propozim tranzicional deri sa ushtria të bëhet kategori kushtetuese.

“Krijimi i ushtrisë është vendim politik dhe mendoj se vendimi patjetër duhet të merret në bashkëpunim me SHBA’të dhe NATO’n. Me themelimin e ushtrisë rrumbullakësohet pavarësia e shtetit të Kosovës, keshtu që në këtë drejtim nuk duhet të ketë dilema”, vlerëson Demiri për gazetametro.net

Sipas tij, propozimit të Presidentit të vendit për ushtrinë i mungon pjesa ku ushtria do të bëhej e detyrueshme për të gjithë qytetarët në kohëzgjatje deri në 6 muaj.

Në mbështetje të idesë është edhe gjenerali dhe Ish-Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Ai, ndonëse përkrah idenë që Kosova të bëhet me ushtri, por mendon që Ligji i propozuar nga Presidenti Thaçi është joprofesional.

“E di se ky Ligj do të jetë në duart e shumë shteteve, dhe atë do ta analizojnë ekspertë të ndryshëm. Kur ta lexojnë, përshtypja e parë do të jetë amatorizëm”, kishte thënë Çeku, duke shtuar se FSK’ja ka kuadro shumë të shkolluar dhe të përgatitur dhe si e tillë, është e gatshme që të shndërrohet në ushtri.

Edhe deputeti i LDK’së Anton Çuni, i cili po ashtu ka dalë nga një akademi ushtarake thotë se ushtria duhet të formohet, por ajo nuk duhet të bëhet njëanshëm dhe duhet të jetë gjithnjë në pajtim me Kushtetutën e Republikës.

“Vendimet e njëanshme të autoriteteve tona për ta transformuar FSK’në jashtë dispozitave kushtetuese nuk janë të pranueshme për partnerët strategjikë”, kishte deklaruar Çuni, duke shtuar se deklaratat e shefit të NATO’s dhe ambasadorit amerikan duhet të kuptohen në mënyrë miqësore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme