Kush e këshilloi Ramën të largonte Saimir Tahirin?!

15:00 | 11 Mars 2017
Arbresh.info

Kjo e shtunë e ka gjetur qeverinë e Shqipërisë me një ndryshim në kabinetin e saj, pasi Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dhënë dorëheqjen.
Lajmi që qarkullon në media, edhe pse zyrtar, duket se e sheh të pashmangshëm Ministrin Tahiri drejt fatit fatal. Në fakt prej kohësh ndaj tij kanë qarkulluar zëra për një largim të mundshëm nga qeveria, duke parë akuzat e opozitës por edhe krizën politike në vend.

Por kush ishte i pari që hodhi këtë “fletë-rrufe” ndaj Ministrit Tahiri, që vetëm brenda pak ditësh u shndërrua nga një hamendësim në një fakt për të. Ka qenë botuesi i MAPO-s dhe njëherësh edhe Administratori i UET-së Henri Çili, i cili përmes një editoriali pak ditë më parë, i këshillonte Kryeministrit Rama dorëheqjen e Tahirit.

Në shkrimin në fjalë, Çili argumentonte se “nuk asnjë problem që qeveria të ofrojë një lëshim, një ministër të ri të Brendshëm, me profil teknik”.

Sipas tij, kjo çtensionon situatën dhe rikthen procesin politik te thelbi i tij, tek alternativat dhe argumentet.

“Qoftë edhe sikur dyshimet e opozitës apo opinionit publik të ishin të kota, nuk është asnjë problem sikur qeveria të ofrojë një lëshim, një ministër të ri të Brendshëm, me profil teknik dhe i pa përfolur dhe i dakordësuar edhe me partnerë ndërkombëtar, për të qetësuar obsesionin opozitar për ndikimin e krimit në zgjedhje. Kjo nuk e ndërpret karrierën politike të Saimir Tahirit si ministër i vlerësuar nga kryeministri i tij apo partia e vet, kjo e shtensionon situatën dhe na bën të ecim drejt një procesi të besueshëm zgjedhor dhe rikthen procesin politik te thelbi i tij, tek alternativat dhe argumentet. Pas zgjedhjeve të certifikuara si të lira dhe të ndershme, çka janë një detyrë e qeverisë, ai gëzon të drejtën e çdo karriere politike, madje dhe rikthimin aty ku ishte”, shkruante Çili.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme