Google ADS

Kosova ka buxhet për ta themeluar ushtrinë

14:43 | 9 Mars 2017
Arbresh.info

Nëse sigurohet mbështetja politike ndërkombëtare, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme materiale për të themeluar ushtrinë sipas standardeve të NATO-s, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Buxheti aktual, konsiderohet i mjaftueshëm për t’i ndërruar misionin aktual Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe transformuar atë në ushtri.

Çështja e arritjes së standardeve të NATO-s, është proces dhe objektiv në vazhdimësi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë.

“Buxheti i ndarë për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe FSK-në për vitin 2017 është mbi 50 milionë euro. Sa i përket bazës buxhetore për transformim të FSK-së, është planifikuar që buxheti i ndarë nga qeveria për FSK-në, për çdo vit të shtohet me nga 5 milionë euro”, ka thënë Shala.

Parashihet që në vitin 2018, buxheti për FSK- në të jetë mbi 57 milionë euro, kurse për vitin 2019, mbi 63 milionë euro.

Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, që nënkupton kalimin nga një forcë të angazhimeve e veprimeve për emergjenca në një forcë me karakter të plotë ushtarak, është paraparë pas një vlerësimi të sektorit të sigurisë në vend dhe rekomandimeve që NATO ka dhënë për përmbushjen e kapaciteteve operacionale.

Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka mjete materiale të mjaftueshme për ushtri.

Në rast të nevojës për mjete shtesë, deputeti Haradinaj thotë se Komisioni mund të propozojë rritjen e buxhetit për Forcën e Armatosur.

“Komisioni parlamentar ka të drejtë të propozojë rritjen e buxhetit në bazë të nevojave dhe kërkesave që parasheh misioni i ri”, ka thënë ai.

Njohësit e çështjeve ushtarake dhe sigurisë ndërkaq thonë se aktualisht mjetet financiare nuk janë të mjaftueshme për të ngritur kapacitetet mbrojtëse. Por, për një periudhë 10 vjeçare, ushtria e Kosovës, thuhet se mund të furnizohet me pajisjet e nevojshme teknike.

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas formimit, Forcat e Armatosura fillimisht duhet të investojnë në kapacitetet humane, kuadrot komanduese dhe pastaj të blihen mjete teknike.

“Kosovës i duhet forcë mbrojtëse, teknikë defanizve (mbrojtëse) jo ofensive për të sulmuar territoret e shteteve fqinje, pra për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Ato janë më pak të kushtueshme sesa t’i ngrisin kapacitetet ofensive”, ka thënë Maloku.

Sipas projektligjit, Forca e Sigurisë se Kosovës do të jetë e pajisur me armatim adekuat, në përputhje me nevojat e FSK-së, për kryerjen e misionit dhe detyrave të saj.

Kurse aktualisht, thonë zyrtarë të Ministrisë se Forcës se Sigurisë, kjo forcë është e pajisur me mjete dhe teknikën profesionale për të kryer misionin ligjor dhe kushtetues.

Projektligji i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i është proceduar Kuvendit, prej nga është dërguar në qeveri për shqyrtim dhe më pas, nëse sigurohet edhe mbështetja ndërkombëtare, ai pritet t’i ri-procedohet Kuvendit për miratim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme