Qeveria e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Financave, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore.
Në një njoftim të Qeverisë thuhet se Projektligji është propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, si Komandant Suprem i FSK-së.
“Për propozimin e këtij Projektligji, Kryeministri është njoftuar nga Presidenti më datë 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Epopesë së UÇK-së. Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që rezultoi nga debati për FSK-në të datës 14 shkurt të këtij viti, Kryeministri kishte kërkuar nga Ministri i FSK-së që të përgatitet Strategjia për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në duke zhvilluar një debat të gjerë me të gjitha palët, me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që të tejkalohen kushtëzimet dhe bllokadat që po i bëhen transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e kryeministrisë thuhet se në bisedën e djeshme telefonike, Sekretari i NATO-s, Stoltenberg ka kërkuar nga Kryeministri që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit të FSK-së përmes ligjit, për çfarë shprehin shqetësime anëtarët e Aleancës Veriatlantike. Qëndrime të ngjashme, Kryeministri ka marrë këtë javë edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar.
“Kryeministri vlerëson se themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk mund të mbetet peng i Serbisë, përkatësisht Beogradit. Avancimi i rolit të FSK-së në Ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përcaktuar që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj, në suaza të hapësirës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në mbështetje dhe bashkërenditje me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, përfundon njoftimi./Arbresh.info.
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani
Parashikimi i motit për ditën e somte
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...