Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, është e bindur se gratë e Kosovës kanë ndryshuar historinë gjatë gjithë periudhave nëpër të cilat ka kaluar shteti.
“Thyerja e barrierave për gratë është problem global, por në shoqërinë tonë rrethanat janë shumë më komplekse e më të rënda dhe kjo e bën atë edhe më të vështirë. Kosova ka nevojë për një lëvizje aktive qytetare për fuqizimin ekonomik të grave në komitetin tonë”, ka thënë Jahjaga në takimin me “Kosova United States Alumni” (KUSA), në të cilin u prezantua projektin “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”.
Jahjaga ka thënë se ekziston një perceptim i gabuar në shoqërinë tonë se gratë nuk janë të përfshira në procesin e vendimmarrjes për shkak të mungesës së aftësive.
“Mohimi i të drejtës së gruas, mohimi i të drejtës së grave nuk është çështje private dhe tanimë ne këtë e dimë. Ne si shoqëri kemi hedhur hapa të konsiderueshëm në avancimin e rolit të gruas në shoqëri, por ky progres ende mbetet i ulët kur kthehemi dhe shohim shifrat që vijnë nga pjesëmarrja e gruas në tregun e punës, pjesëmarrja në arsim, në politikë, qasja në shërbimet shëndetësore, por dhe qasja në drejtësi”, ka thënë ajo.
Shkëndije Himaj në emër të Bordit të KUSA-s ka thënë se mundësitë dhe të drejtat e barabarta në procesin e vendimmarrjes për gratë janë një sfidë në nivel global, përderisa, sipas saj, në vendin tonë mbeten ende të paadresuara. “Mungesa e mundësive të barabarta në vendimmarrje për gratë e pengon gjysmën e popullsisë për të marrë një rol aktiv në fushën e politikave zhvillimore, të atyre ekonomike dhe sociale”.
Pabarazia në Kosovë në të ardhura, ajo ka thënë, se rëndon në raportin burra dhe gra te mospjesëmarrja e grave në pozita vendimmarrëse, ku niveli i përgjegjësive është më i lartë dhe korrespondon me kompensime me të ardhura më të larta. Himaj tha se pjesëmarrja e grave në kategorinë e fuqisë punëtore është vetëm 22 për qind, përderisa pjesëmarrja e meshkujve është 61 për qind. “Nëse pjesëmarrja e grave do të arrinte nivelin e barabartë me atë të meshkujve ndikimi në rritjen ekonomike në Kosovë do të ishte enorm. Prandaj investimi në fuqizimin ekonomik të grave përcakton një rrugë të drejtë në drejtim të barazisë gjinore, zhdukje të varfërisë dhe rritje ekonomike gjithëpërfshirëse”. Himaj tha se ky projekt është dizajnuar në atë mënyrë që mundëson hapjen e disa prej këtyre barrierave, mungesën e përgatitjes profesionale, mungesën e guximit…
Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, gjatë fjalimit të tij i është drejtuar grave me mesazhin se “së bashku dhe guximshëm mund ta ndryshoni të ardhmen e Kosovës”.
Kurse kryetarja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Lendita Kastrati, ka thënë se Kosova numëron 17 për qind të bizneseve të grave të regjistruar, e cila, sipas saj, është ende përqindja më e vogël në rajon. “Si dhe kemi një pjesëmarrje shumë të ulët si në pozita menaxheriale të kompanive private, po ashtu edhe pjesëmarrja e grave në bordet publike është shumë e vogël”, ka thënë Kastrati.
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...
Ndërprerjet e energjisë për shkak të motit, KESCO del me njo...
Moti i keq në Shkodër, shumë zona pa energji elektrike, bllo...
Përurohet qendra e re e mjekësisë familjare në Mamushë