Pse u fsheh aktakuza ndaj Ramë Bujës?

23:30 | 8 Mars 2017
Arbresh.info

Ndonëse për aktakuzat, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka informuar me kohë, e në rastin e Limajt me emër e mbiemër, kjo praktikë nuk ngjau me rastin e ish-ministrit Buja.

Zyra për Informim e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka për detyrë informimin e mediave dhe opinionit publik për punën e këtij institucioni.

Në këtë drejtim, kjo Zyrë në vazhdimësi ka informuar për aktakuzat e reja që janë ngritur, sidomos ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë por edhe në rastet e tjera me rëndësi për publikun, si krime lufte, terrorizëm e të ngjashme. Madje, në disa raste, siç është aktakuza ndaj Fatmir Limajt, njoftimi u publikua me emër e mbiemër.

Befasisht, kjo praktikë nuk ngjau edhe me aktakuzën për ish-ministrin e Arsimit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, ndonëse aktakuza ndaj tij dhe tre personave të tjerë u ngrit më 7 nëntor të vitit të kaluar.

Lajmi për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit Buja u bë i ditur për publikun vetëm pasi që u publikua në media.

Në Zyrën për Informim të Prokurorisë arsyetohen se kjo ka ngjarë pasi që prokurori i rastit nuk i ka njoftuar për aktakuzën ndaj ish-ministrit.

“Arsyeja pse Zyra për Komunikim Publik nuk ka lëshuar komunikatë për të njoftuar se është ngritur kjo aktakuzë është se nga prokurori i çështjes nuk ka qenë e informuar për ngritje të aktakuzës deri në momentin që vet kjo Zyrë ka kërkuar informacion pas pranimit të pyetjeve nga gazetarët”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

KALLXO.com raportoi dje nga seanca ku ish-ministri Buja, Xhemajl Buzuku dhe Xhavit Dakaj po akuzohen për keqpërdorim të detyrës ndërsa Afrim Demiri për mashtrim.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm pasi që prokurori Ali Rexha lexoi aktakuzën.

Buja akuzohet se si ministër i Arsimit bashkë me Xhavit Dakajn në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri, me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Sipas aktakuzës, kjo është bërë pa një procedurë të re dhe me nënshkrimin e tyre kanë shkelur detyrimet që i kanë pasur në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik.

Në këtë proces akuzohen edhe Xhemajl Buzuku në cilësinë e drejtorit të Prokurimit në MAShT dhe Afrim Demiri, drejtor i kompanisë “Alb-Architect”.

Aktakuza e ngarkon Xhemajl Buzukun se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët më 15 maj 2009 ka lidhur kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”.

Ndërsa Afrim Demiri, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ka përpiluar kontrata të rreme për 30 persona, gjoja se këta ekspertë, inxhinierë të diplomuar kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme