Gjermania mbështetë ministren Hoxha në reformimin e sistemin e drejtësisë

11:14 | 8 Mars 2017
Arbresh.info

Ministra e Drejtësisë Dhuarata Hoxha ka marrë mbështetjen e plotë të Republikës Federale të Gjermanisë për reformat e nisura në sistemin e drejtësisë në Kosovë si dhe për punën e deritashme që ka bërë në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, ministrja Hoxha ka takuar homologun e saj gjerman z. Heiko Maas, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ministri gjerman Heiko Maas i ka dhënë mbështetje vizionit të ministres Hoxha për reformat e paralajmëruara edhe në muajt e ardhshëm, sidomos për hartimin e Kodit Civil sipas modelit gjerman si dhe për reformat tjera që po ndërmerren siç janë rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, përgjegjësia disiplinore e gjykatësve dhe prokurorëve, të gjitha këto reforma në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit.

“Do të jemi pranë jush në zgjidhjen dhe tejkalimin e sfidave në fushën e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë. Përkrahja jonë nuk do të mungojë dhe ekspertët tanë do të ofrojnë mbështetjen e tyre jo vetëm gjate hartimit të legjislacionit por edhe gjatë zbatimit të tyre, duke ofruar përvojat më të mira”, theksoi ministri Maas.

Po ashtu, me këtë rast, Ministrja Hoxha dhe Ministri Maas diskutuan mundësinë e hapjes së një Fakulteti Juridik gjerman në Kosovë, me qëllim të forcimit të arsimit në fushën juridike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme