Nën patronatin e kryeministrit, Isa Mustafa, është mbajtur sonte akademi përkujtimore në nderim të “Epopesë së UÇK-së”, në të cilën përfaqësuesi i familjes Jashari, Lulzim Jashari, biri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, pati kritika ndaj udhëheqësve të institucioneve.
Bashkë me Lulzim Jasharin, ishin edhe nipat e komandantit legjendar Adem Jashari.
Por, edhe pse ishte nën patronatin e tij, nuk erdhi në akademi kryeministri Isa Mustafa.
Por, biri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari me të marr fjalën nuk pati përshëndetje për asnjëri nga udhëheqësit e institucioneve, për të cilat pati shumë kritika. Theksoi se Kosova nuk po udhëhiqet nga idealet e atyre që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, raporton KosovaPress.
Jashari:“Kosova nuk udhëhiqet nga ideali i të rënëve për lirinë. Sot Kosovën e përfaqësojnë individë sikur e kanë harruar rrugën që na ka sjell këtu ku jemi. Përfaqësues të Kosovës duket se nuk e kujtojnë thënien e Abdyl Frashërit. Qëllimi i Kuvendit të Lidhjes shqiptare, ishte t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit tanë. Përfaqësuesit tanë, kuvendarët tanë, duket se kanë harruar fjalët, lidhja shqiptare, besa shqiptare, trojet tona, madje kanë harruar edhe fjalët gjysh e stërgjysh, me një fjalë janë shkëputur nga tradita”, tha Jashari.
Jashari pati edhe disa pyetje për ata, që sipas tij, kaq lehtë e harrojnë traditën. Madje, ai ua kujtoi atyre një thënie të Luigj Gurakuqit, se qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti për t’ia ndërruar fytyrën Kosovës.
Jashari: Qeveritarët tanë shpesh po e lënë Kosovën pa fytyrë
“A po përpiqen institucionet tona t’ia ruajnë fytyrën Kosovës, përgjigjja është jo. Madje qeveritarët tanë jo rrallë po ë lënë Kosovën pa fytyrë. Kohëve të fundit ka zhvillime që mund ta dëmtojnë rënd të sotmen dhe të ardhmen. Prandaj institucionet tona, duhet të jenë shumë të përgjegjshme që të mos cenohet e ardhmja e Kosovës. Ka një kohë të gjatë që institucionet tona të përkrahura nga ndërkombëtaret, po kërkojnë normalizimin e raporteve me Serbinë. Pra po kërkojnë normalizim dhe pajtim. Si mund të ketë pajtim me ata që nuk e njohin shtetin e Kosovës, si mund të ketë normalizim dhe pajtim me ata që përpiqen ta zhbëjnë Kosovën, si mund të ketë pajtim me ata që nuk kanë kërkuar falje për krimet që kanë bërë, madje siç thotë populli, u ka mbetur merak pse nuk kanë bërë më shumë të zeza. Nuk e di a ka një popull në botë që është viktimizuar, që ka qenë i pushtuar, të sillet në atë mënyr ë, sikur do t’i kërkojë falje ish pushtuesit”, shtoi ai.
Ai nuk u ndal me kaq, tha se sot e keqja është shtrirë në institucionet e Kosovës dhe se kjo duhet të ndalohet.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli vlerësoi lartë sakrificën e familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sipas kreut të Kuvendit, UÇK-ja ka qenë lëvizja më sublime e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Ai premtoi se shumë shpejt Kosova do të bëhet me ushtri.
Veseli: Shpejt do ta kemi ushtrinë e Kosovës
“Kosova po futet në rrugën e vet shtetëror dhe po dëshmohet se jo vetëm është shtet i lirë dhe sovran, po është identitet i fuqishëm juridik e politik me integritet të pathyeshëm dhe cenueshëm kushtetues dhe territorial. Se Kosova është e përkushtuar në integrimin euroatlantik dhe qëndron fuqishëm në partneritet të palëkundur me botën demokratike në krye me SHBA-në, BE-në. Shumë shpejt, vetëm ditët na ndajnë kur do të formohet ushtrua e Kosovës, e cila do t’i shërbejë sigurisë së vendit, paqes dh stabiliteti rajonal e global”, tha Veseli.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli ministri i FSK-së Haki Demolli, i cili rënien e familjes Jashari e quajti flijim dhe rënie të pashembullt për lirinë e kombit dhe atdheut, çfarë historia e Kosovës, e as ajo botërore as nuk e kishte parë, e as nuk e kishte dëgjuar më parë.
Demolli: Shteti do të ndërmarr veprimet ligjore për krijimin e ushtrisë
“Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë UÇK-së, shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi në vazhdën e angazhimeve për konsolidimin e organeve më vitale të shtetit të Kosovës, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky transformim është detyrë mbi detyra të klasës sonë politike, e cila dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë i rezolutës për FSK-në nga deputetët e Kuvendit, i cili u bë pas debatit disa orësh për FSK-në”, theksoj Demolli.
Në emër të institutit të historisë një fjalë e mbajti edhe historiani Frashër Demaj, i cili tha se ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit duhet të jenë moment i rëndësishëm reflektimi për institucionet dhe popullin e Kosovës.
Demaj: Epopeja vazhdimësi e luftës për liri e pavarësi
“Epopeja e Jasharajve është vazhdimësi e përpjekjeve të pareshtura të popullit të Kosovës për liri e perspektivë kombëtare. Ajo bashkon në një të vetme përpjekjet diplomatike të shqiptarëve për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe luftën e armatosur të UÇK-së, të cilat kishin synim të përbashkët çlirimin nga Serbia”, theksoi Demaj.
Epopeja e UÇK-së, ka filluar dje me parakalimin e FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, derisa do të përfundoj nesër me Natën e Zjarreve që do të mbahet në Prekaz
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...