Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan ka akuzuar kreun e kësaj komune Lutfi Haziri se është duke e dëmtuar rëndë buxhetin e komunës dhe po shkakton humbje të mëdha financiare përmes kurdisjes së tenderëve, ndryshimeve jo ligjore të kushteve dhe kritereve me qëllim të përshtatjes për kompanitë me të cilat po i negociojnë paraprakisht çmimet e tenderëve.
Në një komunikatë për media, Dega e PDK-së pohon se Haziri dëmtimin e buxhetit komunal po e bën duke joshur përmes tenderëve të majmë, biznese të caktuara që janë të afërta me të, ndërkohë që disa kompani i përjashton nga e drejta për të kontraktuar punë dhe shërbime përmes ligjit të prokurimit.
Këto raste, sipas PDK-së, janë identifikuar nga Komisioni për Ekonomi dhe Financa i kësaj dege në Gjilan, sipas së cilës “dieta buxhetore”, që vazhdon ta proklamojë Haziri tash e tri vjet, nuk është asgjë tjetër pos kamuflim, pas së cilës fshihet pangopësia e kryetarit të një komune si ky, të dështuar në secilën fushë të qeverisjes komunale.
PDK rikujton vendimin e Gjykatës Ekonomike në Prishtinë me nr.484/14 të datës 07.10.2016, me të cilin komuna e Gjilanit detyrohet të paguajë mbi 139 mijë euro dhe 3.5% kamatën ligjore në emër të paditësit “SAS” shpk, për arsye të shkëputjes së njëanshme, që e ka bërë Haziri përmes një urdhërese politike dhe jo ligjore, të kontratës që ka të bëjë me sigurimin fizik të objekteve komunale dhe shkollore.
“I vetmi arsyetim i Lutfi Hazirit për shkëputjen e kontratës, ishte “kostoja e lartë e financiare”, ndërkaq tani, për të tretën herë radhazi, është duke shpallur tender në vlerë edhe më të madhe, të planifikuar mbi 800 mijë euro. Zyra e prokurimit është duke tentuar që këtë kontratë t’i japë kompanisë së preferuar të kryetarit të komunës dhe dy herë ka përjashtuar kompaninë e cila kishte dal fitues me ofertën me çmimin më të ulët”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, Dega e PDK-së në Gjilan shpreh brengosjen për shkak se komuna e Gjilanit po eliminon të gjitha kompanitë nga konkurrenca për të marrë punë dhe kontrata, e të cilat nuk janë financues të LDK-së dhe të Lutfi Hazirit.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, sërish i bënë thirrje kryetarit Haziri që të ndalë këto veprime jo ligjore, që të mos i shkaktojë edhe më tej humbje të mëdha financiare buxhetit të komunës, të mos i dëmtojë kompanitë sipas “shijes” së tij politike dhe të mos i keqpërdorë tenderët me qëllim të joshjes dhe financimit të aktivitetit të tij politik dhe të partisë së tij.
Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsion i ka anuluar komunës së Gjilanit së paku 6 tenderë, me arsyetimin se prokurimi ka vendosur kritere jashtë kuadrit ligjor dhe duke bërë diskriminim dhe trajtim jo të barabartë të kompanive ofertuese.
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...