Atletja shqiptare kualifikohet në finalen e 1500 metrave që po mbahet në Beograd

18:48 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Luiza Gega kualifikohet me sukses në finalen e 1500 metrave për femra, në Europianin që po zhvillohet në Beograd.

Atletja shqiptare u rendit e dyta në baterinë e saj duke siguruar kualifikimin direkt për në finalen që do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 19:45, ku Gega synon të marrë një tjetër medalje.

28-vjeçarja garoi në baterinë e 3 të kualifikuese dhe regjistroi kohën e 4 minuta 13 sekonda e 40 të qindtat. Ajo u rendit e dyta në këtë bateri pas polakes, Sofia Ennaoui, transmeton Supersport.
Në total koha e Luiza Gegës ishte e 9-ta nga 19 garuese që u kualifikuan në 3 bateritë kualifikuese.

Rezultati i Gegës është pothuajse 3 sekonda më i mirë se ai që atletja shqiptare regjistroi vitin e kaluar në të njëjtën garë në Botërorin e Sallave të Mbyllura, ku zuri vendin e 16-të.

Gjithsesi duke qenë një garë kualifikuese, ku atletet përgjithësisht nuk japin më të mirën e tyre, ka pritshmëri të mëdha për Gegën sa i përket finales meqenëse koha më e mirë e Gegës në këtë disiplinë është 4 minuta 2 sekonda e 63 të qindtat, të cilën e vendosi në vitin 2015 në Doha të Katarit, ndërsa në sallat e mbyllura koha e saj më e mirë është 4 minuta 6 sekonda dhe 89 të qindtat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme