Qeveria gati të bisedojë me Opozitën

12:44 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Mazhoranca konfirmoi sot gatishmërinë për dialog me opozitën në Kuvend ose në çdo tryezë tjetër dhe prej së cilës pret propozime konkrete dhe realiste për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, duke përjashtuar kështu çdo mundësi për qeveri teknike, kërkesë kjo e artikuluar gjatë 2 javëve të protestës nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një deklaratë zyrtare, thuhet se krerët e koalicionit qeverisës diskutuan mbi reformën në drejtësi në takimin e përjavshëm, bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe reformën zgjedhore.

“Në fokus të takimit ishin Reforma në Drejtësi, procesi i Vetting-ut si hap i parë në zbatimin e saj, si edhe Reforma Zgjedhore dhe domosdoshmëria për një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë. Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor.

Liderët e koalicionit shprehën gatishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën”, thuhet në deklaratë.

Në takim ishin kryeministri Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kreu i LSI-së Ilir Meta, Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili si edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Asnjë prej tyre nuk u prononcua për mediat, ndërsa ky qëndrim i mazhorancës vjen disa orë përpara mbërritjes në Tiranë të shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogerini.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme