Njihuni me “Baba Terezën”

21:53 | 28 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Për bamirësen me origjinë shqiptare Nënë Tereza, e cila prej 2016-s ka marrë emrin Shën Tereza, kemi dëgjuar të flitet shumë, por në botë ekzistonte deri para një viti edhe një tjetër person, i mbiquajtur “Baba Tereza”.

Duket si shaka, por është e vërtetë. Bëhet fjalë për Abdul Sattar Edhi, një filantropist dhe humanitar i njohur në Pakistan si “Engjëlli i mëshirës” dhe “Baba Tereza i Pakistanit”, për shkak të punës së tij sociale që fitoi edhe duartrokitjet e ndërkombëtarëve.

Edhi ngriti një fondacion të mirëqenies rreth 6 dekada më parë, të cilin e drejtonte së bashku me bashkëshorten e tij, Bilquis Edhi.

Abdul Sattar Edhi u lind më 28 shkurt të vitit 1928 në një fshat të vogël të Bantvas, pranë Joona Garh, në qarkun Gujarat të Indisë së atëhershme të sunduar nga britanikët, por u transferua në Karachi, vetëm pak pas formimit të Pakistanit.

Edhi ishte prekur shumë nga vdekja e nënës së tij kur ishte vetëm 19 vjeç. Ai nuk e përfundoi kurrë shkollën, por më vonë tha se bota e vuajtjeve u bë tutor i tij. Ai është shprehur se shumë pakistanezëve iu mungon kujdesi shëndetësor, edukimi dhe disa shërbime të tjera themelore, ndaj dhe u detyrua të ndërmerrte misionin e jetës së tij për të ndihmuar të varfërit e të pamundurit. Në vitin 1951 ai themeloi Fondacionin Edhi, që financohet vetëm nga donacione private. Deri në momentin e vdekjes së tij, më 8 korrik të 2016-s, Edhi ishte regjistruar si babai apo kujdestari i afro 20 mijë fëmijëve.

Prej ndarjes nga jeta të tij, Banka shtetërore e Pakistanit njoftoi se do të hidhte në qarkullim një monedhë prej 50 rupi në nder të tij. Sigurisht, si një simbolikë ndaj vlerësimit të shërbimeve vetjake të tij për të gjithë vendin.

Fondacioni Edhi është aktualisht më i madhi bamirës në Pakistan. Që prej themelimit, ai ka ndihmuar mbi 20 mijë fëmijë të braktisur, ka rehabilituar mbi 50 mijë të mitur dhe ka trajnuar mbi 40 mijë infermiere. Fondacioni është gjithashtu drejtues i shërbimit më të madh të ambulancave në botë, me 1.500 autoambulanca. Në vitin 2005, ky fondacion dhuroi 100 mijë dollarë për viktimat e uraganit “Katrina” në Shtetet e Bashkuara.

Por cilat janë 10 shprehjet më frymëzuese të Abdul Sattar Edhi, “të varfrit më të pasur” të botës?

1- “Feja ime është humanizmi, baza e çdo besimi në botë”.
2- “Paraqitja është hutuese, duke hequr dorë prej saj zhvillohet e vërteta dhe përulësia me bollëk”.
3- “Edhe pas shumë vitesh, kishte shumë që ankoheshin dhe pyesnin ‘përse duhet të fusësh të krishterë dhe hindu në ambulancat e tua?’. Dhe unë iu përgjigjesha se ‘Ambulanca është më myslimane nga ç’jeni ju’”.
4- “Fjalët boshe dhe falenderimet e gjata nuk i bëjnë përshtypje Zotit. Tregojani besimin përmes veprave tuaja”.
5- “Unë nuk kam zyrtarisht arsim. Çfarë vlere ka edukimi, nëse nuk tregohemi qenie njerëzore? Shkolla ime është pikërisht mirëqenia e humanizmit”.
6- “Të vdekurit kanë vetëm një vend ku mund të shkojnë…lart! Kudo që t’i varrosni, ata sërish do të ngjiten lart”.
7- “Librat e shenjta duhet t’i hapni në shpirtrat tuaj, jo në prehrat tuaj. Hapni zemrën dhe shihni njerëzit e Zotit. Ju do ta gjeni atë në gjendjen e tyre”.
8- “Asnjëherë mos e merrni vdekjen e dikujt për zemër… Kujtoni Zotin dhe barazinë me të cilën ai e zbaton atë. Askush nuk është i ndryshëm, të pasurit dhe të varfrit, nga këtu e deri në cepin më të fundit të botës, të gjithë janë të barabartë. Ky është shembulli i barazisë”.
9- “Ata që besuan në ndryshimin e botës ishin ose të uritur nga rrethanat, ose praktikuan privimin nga zgjedhja”.
10- “Të vihesh pas dëshirave të krijon trazira të brendshme. Kur djalli të bëhet udhëzues, lindin grabitësit e armatosur dhe gangsterët. Ai i bën njerëzit të luftojnë ndaj shpirtrave të tyre, për të mbijetuar me sende të shtrenjta, duke humbur gjithçka nga forca e tyre. Armiku i brendshëm mund të mposhtet vetëm përmes një revolucioni personal”.

Edhe pse ka një konfuzion mbi datën reale të lindjes së tij (pasi edhe vet Edhi ishte i pasigurtë dhe pohonte se kishte lindur mes viteve 1926-1928, “Google” zgjodhi ta nderonte atë me një nga “doodle”-at që i dedikon ngjarjeve historike globale apo kombëtare të shteteve të ndryshme, pikërisht sot më 28 shkurt. “Doodle” i motorit të kërkimit “Google” është shfaqur në Britaninë e Madhe dhe disa vende të tjera europiane, sikurse edhe në Pakistan, SHBA, Singapor, Japoni, Korenë e Jugut, Australi dhe Zelandën e Re./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme