Prokuroria Speciale zgjeron hetimet ndaj zyrtarëve

14:45 | 28 Shkurt 2017
Arbresh.info

Prokuroria Speciale në Maqedoni ka njoftuar ‘zgjerimin hetimeve ndaj zyrtarëve lidhur me shpërdorim të detyrës gjatë ndarjes së tenderëve për nxjerrjen e thëngjillit në një minierë në qytetin e Manastirit’.

Hetimet janë hapur në bazë të materialeve të përgjuara telefonike prej nga rezulton përfshirja e tre personave në falsifikimin e dokumenteve të tenderimit duke përfituar kështu 17.2 milion euro në vitin 2011.

Për dy nga personat që po hetohen Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka zgjeruar hetimet edhe për rastin e koduar me emrin “Titanik” që ka të bëjë me falsifikimin e zgjedhjeve.

Prokurorja Katica Janeva, tha se hetimet kanë përfshirë edhe 17 persona të tjerë, pa specifikuar se për kë konkretisht bëhet fjalë.

Në mesin e tyre jo zyrtarisht merret vesh se janë edhe emrat e disa ish anëtarëve të qeverisë së Nikolla Gruevskit. Të gjithë akuzohen për parregullsi zgjedhore dhe financim të jashtëligjshëm të fushatës partiake gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014.

Për rastin “Titanik” hetimet tani një kohë janë duke u zhvilluar kundër dy ish ministrave, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski si dhe kundër ish kryetarit të komunës së Putsecit në Shqipëri, Edmond Temellko.

Ndërkohë për disa raste tjera për shpërdorim detyre akuzohet edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski.

Të gjitha akuzat kanë për bazë aferën e përgjimeve të zbardhur nga lideri i opozitës Zoran Zaev në shkurt të vitit 2015, që edhe ka shkaktuar krizën politike në Maqedoni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme