Google ADS

Nesër fillon procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

11:12 | 28 Shkurt 2017
Arbresh.info

Nesër fillon zyrtarisht procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, të cilët në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sipas Ligjit deklarimi i pasurisë fillon nga  1 marsi dhe përfundon më 31 mars.

“Deklarimit të pasurisë i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publik, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti. Mos deklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal (neni 437 Pikat 1 dhe 2)”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit

Në njoftimin dërguar të gjithë zyrtarëve publik, Drejtori i Agjencisë  Shaip Havolli u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë që në përputhje me afatet ligjore të plotësojnë dhe dorëzojnë formularët e deklarimit të pasurisë dhe ka shprehur zotimin se Agjencia është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë zyrtarët në fjalë në mënyrë që procesi njëmujor i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses.

Në kuadër të përgatitjeve për procesin e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbajtur takime këshilluese me rreth 170 zyrtarë kontaktues nga institucionet dhe organizatat që i nënshtrohen deklarimit të pasurisë.

Të ngjashme