Bota e mureve kufitare, 70 mure kufitare gjenden në mbarë botën

16:30 | 27 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Rreth 70 mure kufitare janë ndërtuar në mbarë botën për të mbrojtur kufijtë kombëtarë, në krahasim me një dyzine në vitin 1989, kur ra edhe Muri i Berlinit.

Studiuesja Elizabeth Vallet nga Universiteti Quebec bën të ditur që bota është duke u kërcënuar nga muret mbrojtëse, transmeton portali arbresh.info.

Përderisa pritet që të fillojë edhe ndërtimi i murit kufitar SHBA-Meksikë, shikoni se cilat janë muret kufitare më të rëndësishme rreth globit:

Francë: Gardhi me tela të lartë për të ndaluar fluksin e emigrantëve është ndërtuar në fund të vitit 2016. Kjo pengesë kufitare është ndërtuar me qëllim për të ndaluar qasjen e emigrantëve që tentonin të hynin në Britani të Madhe nga Calasi.

Hungari: Përderisa Evropa po kalonte krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, Hungaria morri vendim për ndërtimin e një gardhi kufitar 175km në kufi me Serbinë. Muri kufitar u ngrit në vitin 2016 dhe më pas një mur i njejtë u ndërtua edhe përgjatë kufirit të saj me Kroacinë, transmeton portali arbresh.info.

Bullgari: Në vitin 2014 Bullgaria filloi ndërtimin e një gardhi kufitar me tela në kufi më Turqinë, pasi kjo pikë kufitare konsiderohej si një pikat më të shfrytëzuara nga emigrantët që tentonin të kalonin në vendet e BE-së.  Kjo pengesë kufitare është 176km e gjatë.

Greqia: Greqia u bë një ndër vendet kryesore për emigrantët që donin të hynin në Evropë, pikërisht në momentin kur ekonomia e saj ishte në kolaps. Në vitin 2012 Athina ndërtoi një gardh me tela 11km të gjatë përgjatë kufirit të saj me Turqinë.

Spanjë-Maroko: Enklavat spanjolle Ceuta dhe Melila në bregdetin e Afrikës Veriore, janë mbrojtur me tela të teknologjisë së lartë. Secila pengesë është 10km e gjatë.

Mure të tilla kufitare ndodhen edhe në kufi me Izraelin dhe Palestinën, Arabinë Saudite dhe Irakun dhe në Indi në kufi me Pakistanin./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme