Google ADS

Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi

13:03 | 27 Shkurt 2017
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Sh.K., për veprat penale: shtytja për kryerjen e veprave terroriste, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, dhe shmangia nga Tatimi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K, veprat penale: shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2013 dhe 2014, ndërsa, veprën penale shmangia nga tatimi ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2011 dhe 2016.

Sipas aktakuzës i pandehuri Sh.K. në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij tё drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë tё tjerёt ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Po ashtu Krasniqi sipas aktakuzës ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme