“Në vend se të zgjidhet kriza politike, Kisha Ortodokse e Maqedonasve po shkakton tensione dhe e rrit mosbesimin e qytetarëve në vend” thuhej në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që Kisha Ortodokse Maqedonase e shkel rregullën që ua ndalon komuniteteve fetare të përzihen në punët e brendshme të shtetit, njofton Gazeta Express.
Besa e quan tendencioze përzierjen e kësaj bashkësie fetare në interpretimet kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe si dhe në lidhje me atë se kush do të qeverisë gjatë mandatit të ardhshëm.
“Në këtë kohë të brishtë politike, kur duhet të ruhet qetësia, stabiliteti dhe harmonia mes komuniteteve etnike dhe fetare, kur ka një amulli se si do jetë fati i së ardhmes së këtij shteti multietnik dhe multifetar dhe kur të gjithë presin me padurim që të rikthehet sundimi i ligjit dhe përfundimisht të kemi një qeveri politike stabile, papritmas shpërthen edhe një rrufe skandaloze, që nuk arrin asgjë, përpos që shkakton tensione dhe e rrit mosbesimin e qytetarëve në vend.
Kështu Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO), për të satën herë radhazi e shkelë rregullin bazë të shekullarizmit të shtetit, që ua ndalon komuniteteve fetare të përzihen në punët e brendshme të shtetit. KOM-i në komunikatën e sotme, pos tjerash, bëri apel deri te liderët politikë që ta ruajnë pozicionin kushtetues të gjuhës maqedonase në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë, kjo në pajtim me Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit. Që gabimi të duket skandal, KOM-i deklaroi “se populli duhet të udhëhiqet prej vlerave ungjillore krishtere”, madje Kisha Ortodokse Maqedonase e konsideron veten si nënë shpirtërore e të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë të tjerëve, pavarësisht nga përkatësia etnike.
Të përzihet një bashkësi fetare në interpretime kushtetuese për përdorimin gjuhëve zyrtare ose të deklarohet se shteti duhet të udhëhiqet prej vlerave ungjillore, kjo padyshim se është tendencioze dhe fyese për popullin shqiptar, i cili është me shumicë absolute mysliman dhe autokton në këtë vend, ndërsa të vazhdosh më tutje dhe të thuash se Kisha ka përgjegjësinë prindërore ndaj të gjithë besimtarëve pa dallim feje, kjo është përtej të gjitha kompetencave dhe ofenduese për të gjithë besimtarët e feve të tjera.
Prandaj Lëvizja Besa duke u bazuar në nenin 19, amendamenti 7 të Kushtetutës, që thotë se “Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit”, e dënojmë këtë deklaratë tendencioze dhe i bëjmë thirrje KOM-it që së paku duke u bazuar në parimet fetare që i proklamon vetë ortodoksizmi, se “ndryshimi duhet të fillojë prej vetes”, që ta respektojë kushtetutshmërinë e shtetit dhe të mos e rrënojë parimin shekullar të shtetit, sepse përzierja e tillë sjellë pasoja të cilat askush nuk do t’i dëshironte në këtë vend. Nëse kjo krizë e thellë politike merr edhe nuanca religjioze, pasojat e saj nuk mund të parashikohen” thuhej në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...