Google ADS

Ju rrëfej kritikët e Agollit, para vitit 1990 i përuleshin

19:41 | 22 Shkurt 2017
Arbresh.info

Pedagogu i letërsisë bashkëkohore, Gëzim Basha, rrëfen për vlerat e krijimtarisë së Dritëro Agollit në letërsinë shqipe.

Ai mendon se për të është shkruar shumë, por është thënë fare pak. Agollin, sipas Bashës, e etiketojnë si shkrimtar të metodës së realizmit socialist apo të partisë, por kjo ndodh pasi debati politik dhe kulturor në Shqipëri nuk i kapërcen dot tonet pezhorativë, që kulmojnë me veshjen e një epiteti.

Megjithatë, Basha, gjatë një interviste për gazetën “Shekulli” rrëfen se, krijimtaria më përfaqësuese e Dritëroit qëndron jashtë metodës se realizmit socialist dhe është letërsi e vërtetë.

Përsa i përket ekzistencës së një arkivi të klasifikuar me dokumente me vlerë, që mund t’i përkasin Lidhjes së Shkrimtarëve edhe Artistëve, Basha mendon se ekzistojnë vetëm procesverbale mbledhjesh të mërzitshme, ndërsa ato që duhet të hapen janë arkivat e Sigurimit të Shtetit. Për të nga ikja e Dritëroit nuk preken vetëm snobët bosh të pseudokulturës dhe mercenarët e paguar të shtypit fatalist, por edhe ata shqiptarë, që do t’ju mungojë Dritëroi i urtë.

Zoti Basha, fillimisht do të donim të dinim, si e keni njohur Dritëro Agollin?

Së pari, dua t’ju falënderoj për komunikimin, dhe t’ju them se unë do të përpiqem të flas vetëm nga pozicioni i një lexuesi të apasionuar të letërsisë shqipe. Kam qenë 22-23 vjeç kur, në fillimet e viteve ‘90-të, kam pasur takimet e para me Dritëroin përmes një miku të përbashkët, poetit Ilirian Zhupa, redaktor i vëllimit poetik “Pelegrini i vonuar”, një ndër ngjarjet më të mëdha letrare në vitet e para të Shqipërisë postkomuniste. Ndërsa, kontakti me veprën e tij është shumë më i hershëm, nis në vitet ‘70-të, kur im atë solli në shtëpi vëllimin poetik “Fjala gdhend gurin”.

Aty ka një cikël të titulluar “Kënga e Buzëqeshjes” të cilin, i mahnitur nga humori, e mësova përmendesh. Mendoni se ka një arkiv me vlerë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, që mbetet i klasifikuar?

Nuk besoj të ketë ndonjë gjë me vlerë edhe nëse diku, në ndonjë skutë a kasonë të shtetit shqiptar, mund të gjendet ndonjë kapicë dokumentesh të siguruara si arkiv i LSHA-së. Mund të ketë proces-verbale mbledhjesh të mërzitshme ku, përmes “kritikës parimore”, në mjaft raste i hidhej kamerdarja e shpëtimit ndonjë rrezikziu të venë në teh.

Në pikëpamjen time, LSHA, edhe pse e drejtuar nga një shkrimtar i rëndësishëm, prapë ishte një institucion fare i parëndësishëm në superstrukturën e shtetit komunist, i cili e ushtronte dhunën përmes Sigurimit të Shtetit. Hapja e arkivave të Sigurimit do të ishte me interes, jo thjesht si një kuriozitet intrigues, por si një nevojë imediate për të parë magnitudën tmerruese të ingranazheve të dhunës, atë labirint kafkesk ku humbën a u dhunuan shumë shqiptarë.

A mundet që ky lloj dokumentacioni të hedh dritë mbi historinë e letërsisë shqipe?

Nëse e keni fjalën për presionin e politikës, si faktor jashtë-letrar mbi letërsinë, thuajse gjithçka është e botuar, mjafton të shfletohen koleksionet e gazetës “Drita” dhe revistës “Nëntori”, dy organet e LSHA-së. Ne, në këtë stad, kemi nevojë për një dritë tjetër, “dritën” e profesionalizmit për të shkruar – më në fund – një histori letërsie ku përparësia do t’i jepej dekonstruktimit të tekstit letrar; një histori letërsie, që do të shënonte – më në fund – ndarjen radikale nga tradita e sociologjizmit vulgar.

Shumë njerëzve u mungon Dritëroi i urtë, ndërsa shumë të tjerë i shqetëson Dritëroi që kishte pushtet. Përse është kaq e vështirë, që njeriu të ndahet nga vepra?

Unë hyj në grupin e madh të atyre shqiptarëve, të cilëve do t’ju mungojë Dritëroi i urtë, ashtu siç na mungojnë të tjerë të ikur të mëdhenj, si memorialisti i pashoq At Zef Pllumi apo poeti brilant Frederik Rreshpja. Ikja, vetëm fizike, e Dritëroit ne na provokon atë metafizikën prekëse të zbrazëtisë që mund ta shkaktojnë vetëm kolosët; një boshllëk të pangushëllueshëm as nga thënia e njohur, “Njerëzit ikin, vepra mbetet”.

E prapë, vepra mbetet… Nga ikja e Dritëroit nuk preken vetëm snobët bosh të pseudokulturës dhe mercenarët e paguar të shtypit fatalist. Ata që para ’90-s i përuleshin që larg, kurse pas ’90-s e bënë target të shtënash, prapë së largu, në lugjet e pabesa të një bote kinse urbane, por të mbushur plot me logje të kota katundi. Cili është mendimi juaj për veprën letrare të Agollit? Përgjigjen më të saktë e ka dhënë vet Dritëroi. I vetëdijshëm për përmasën e tij në konstelacionin e vlerave letrare, dy dekada më parë ai, si dikur Pushkini, shkroi poezinë me titull “Exegi Monumentum”, një frazë latine, e cila shqipërohet, “Një monument i ngrita vetes”.

Për të është shkruar shumë por, paradoksalisht, është thënë fare pak, kryesisht lavde dhe sharje, glorifikim dhe përbaltje. Të dy këto qëndrime “in extremis” bashkohen në një pikë: E etiketojnë shkrimtar të metodës së realizmit socialist, “konstruktor shpirtrash”, si pjesë këmbimi për Njeriun e Ri, shkrimtar të Partisë etj…etj…! Kjo ndodh, sepse debati ynë publik dominohet nga njerëz shpirtngushtë dhe mendjeshkurtër; kjo vjen ngaqë debati letrar, kulturor dhe politik në Shqipëri, për fat të keq, nuk e kapërcen dot tonin pezhorativ që kulmon me veshjen e një epiteti. Ndërkohë, sado e habitshme a paradoksale të tingëllojë, krijimtaria më përfaqësuese e Dritëroit qëndron jashtë metodës se realizmit socialist, është letërsi e vërtetë. E kam fjalën për “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo”, “Njerëz të Krisur”, “Arka e Djallit”, “Kalorësi Lakuriq”, “Pelegrini i Vonuar”, “Lypsi i Kohës” etj. Për të qenë më konkret po veçoj një prej romaneve të tij, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo”.

Jam i sigurtë se ky roman mund të lexohet si një satirë moderniste, një shtjellë e mençur narrative, thuajse perfekte, e aftë t’i flakë tej vargorët e realizmit socialist. Romani me Zylon mbetet paragon i ekselencës estetike, një ekskursion sekular në labirintet e burokracisë, observim i neurozës, model i deheroizimit absolut, një blasfemi e epërme kjo ndaj metodës letrare zyrtare. Karakteri i tij qendror nuk të kujton heronjtë skematikë nga kanoni i realizmit socialist, por ca arketipe universal të letërsisë së madhe. Midis të tjerash ky roman mund të lexohet si “metafiction”, një sprovë e suksesshme dhe origjinale për të rishkruar Tartarinin e Taraskonës në një ambient absurd shqiptar. Jo më kot poeti dhe kritiku i Francës Allen Bosque e mbiquan “Tartarini i Tiranës”, ndërsa autorin, Kafka, por me pak më shumë diell. Dëgjoj, jo pa një ndjenjë habie, profanë që e banalizojnë marrëdhënien e shkrimtarit me metodën me një etiketim – a seri etiketimesh – sipërfaqësore.

Pseudokritika letrare, shpesh për shkak të paaftësisë penetruese, preferon ta thjeshtësojë panoramën tonë letrare në një kënd kaotik emulacioni ku disa autorë himnizohen, për shkak të metodës, ndërsa pjesa tjetër damkoset me tone fletërrufesh, po për të njëjtin shkak. Kjo ndodh, sepse Zaim Avazi – kritiku i letërsisë te “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” – vazhdon avazin! Gjasme kritikët e kësaj prerjeje nuk janë profile profesionalë, por sifete muhabet-hanesh, skutha strofkullash ideologjike, të paaftë të kuptojnë se vepra e një shkrimtari të talentuar dhe metoda janë dy sisteme të ndryshme, ato diku edhe mund të priten, por kurrsesi nuk përputhen simetrikisht. Metoda, jo vetëm ajo e realizmit socialist, në mjaft raste mbetet vetëm një kornizë e ngushtë, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve seriozë është më e gjerë, e më komplekse.

Jam i sigurtë se vepra e Dritëro Agollit, pjesa e saj më e mirë, hyn, ashtu siç shprehet Ismail Kadareja për të, në atë grusht të pakët brilantësh që okupon qendrën e Kanonit tonë Letrar. Në vendin tonë gjatë periudhës së komunizmit shumë shkrimtarë të tjerë janë lënë në hije, pavarësisht krijimtarisë. Mendoni se, nëse te ne nuk do të ishte instaluar sistemi komunist, Agolli do të ishte shkrimtari më popullor në vendin tonë? Dritëro Agolli, në gjashtë vjet pas rënies së komunizmit, botoi mbi 700 faqe poezi shumë cilësore. Vetëm ky fakt e bën atë një fenomen të jashtëzakonshëm letrar. Librat “Pelegrini i vonuar”, “Lypsi i kohës” dhe “Vjen njeriu i çuditshëm”, të cilët u shitën në kohë rekord dhe në disa ribotime, janë manifestimi më i madh i poezisë konfesionale në gjuhën shqipe, dëshmi se si një talent i madh krijon pavarësisht sistemit politik.

Libra të tillë nuk shkruhen brenda natës, ata janë produkt i një akumulimi të gjatë dhe provojnë natyrën transedenciale të talentit të tij, aftësinë për të menduar jashtë konvencioneve të sistemit. Dhe së fundmi, përse brezat e ardhshëm duhet që ta lexojnë veprën e Dritëro Agollit? Për të njëjtin shkak për të cilin ne sot lexojmë, apo besoj se ende lexojmë, De Radën dhe Naimin, Seremben dhe Mjedën, Fishtën dhe Nolin, Koliqin dhe Paskon, Migjenin dhe Poradecin. Testamenti i fundit i Dritëro Agollit Atë ditë që shpresat e mjekëve për të hequr ato tuba që drejtonin frymëmarrjen e babit u bënë të mëdha, pasi ai po përpiqej vetë të merrte frymë, edhe gëzimi ynë ishte i madh. Pas orëve të zgjatura në gjendje gjumi, babi hapi sytë e po na vështronte.

Edhe ai po e ndjente që po dilte nga një gjumë i rëndë e rraskapitës; rraskapitës pasi tubat e tërë ato pajisje dukej që e bezdisnin fort .Shihte sytë e Sadijes dhe kokat tona e kërkonte të fliste, të komunikonte. Ne i thonim e bënim me shenja që të mos lëvizte shumë e të kishte pak durim, pasi për pak do i hiqte ato tuba e do fliste si të donte. Atëherë ai bëri me shenjë që donte stilolaps e letër që të shkruante. I sollën një fletë letre e një dosje të kuqe ku të mbështeste letrën. Me dorën që i dridhej nisi të shkruante, por ah sa dhimbje: Koka e mbështetur në atë krevat reanimacioni, dhimbjet e trupit dhe të shpirtit, tërë ato tubacione të formave e dimensioneve të ndryshme, gypa në fyt, anash qafës disa si fije të holla, që nuk kuptoheshin çfarë funksioni kishin, një mishmash pajisjesh.

E jo vetëm aq; në një sallë gjigante, pranë e pranë të ngjashmish, vuajtës e bashkëvuajtës, me shpresa e të pashpresë, me fytyra të zbehta e ngjyrë hiri, në mosha të reja, por edhe në mosha të thyera (paçka se mosha pak rëndësi ka në atë pavijon që për mua trishtueshëm thënë ishte pavijoni i vdekjes, pasi aty qava kujshëm të shenjtin e të shtrenjtin tim, aty ndjeva duart e ftohta akull, aty pashë ngjyrën e të mosqënit në jetë, atë ngjyrë që askurrherë nuk e kisha çuar nëpër mend për të bukurin Atin tim), në atë sallë pra , ishte e pamundur që dora të shkiste e të formonte shkronja, fjalë, fraza. E megjithatë disa iniciale, E, A, një grupim inicialesh, vështirë të kuptueshme, babushi im arriti t’i bënte. Gjithsecili nga ne ëndërronte që ato të ishin shkruar për çdonjërin: Mami thoshte që ja , Dritëroi nuk më pa që isha aty e donte të shkruante: Ku është Sadija ?

E ndoshta kishte të drejtë. Edhe infermieret shpreheshin që Dritëroi thërret veçse Sadijen kur zgjohet. Tani, sigurisht mendonte që Dritëroi donte të shkruante për Tanin, amanetet e tij. Dhe unë po ashtu mendoja vet me vete: Ja , babushin e ka marrë malli për mua, donte të shkruante diçka për vajzën e tij dhe bijën e çmuar të tij . Ende dhe sot ditën që shkruaj nuk e kam zbërthyer dot atë tog hieroglifesh, të fundmet kompozime germash të shkruara nga dora e bukur e atit tim( duart e babit janë vërtet të pakrahasueshme në bukurinë e tyre, të holla e elegante, gishtërinj të gjatë e të drejtë, lëkurëlëmuar derisa mbylli sytë, pëllëmbë e bukur e në dimensione çuditërisht shumë harmonike në tërësinë e dorës).

E megjithatë ai shkroi; një dëshirë ndoshta e pashprehur dot me fjalë, një amanet a testament qoftë. Ai la përsëri gjurmën e bojës në letër, si amaneti më fisnik i vazhdimit të mbajtjes gjallë të veprës së tij, botimit të dorëshkrimeve, botimit e ribotimit të veprave të tij, botimit të pathënave që sa ishte në jetë hezitoi t’i përshfaqte e të shihnin dritën e botimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme