Google ADS

Fakultetet teknike duan Universitet Teknik

14:15 | 28 Maj 2015
Arbresh.info

Fakultetet teknike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë kërkuar riorganizimin e tyre në një universitet të veçantë publik, i quajtur Universiteti Teknik i Prishtinës.

Nëse kjo kërkesë pranohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), parashihet që nga tri fakultete që tashmë ekzistojnë, të bëhen gjashtë. Fakultetet teknike për momentin janë: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Nga këto tri fakultete parashihet të krijohen këto fakultete: Fakulteti i Inxhinierisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Informatikës, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Komunikacionit.

Profesori Blerim Rexha nga këshilli iniciues për themelimin e universitetit teknik të Prishtinës ka thënë për “Epokën e re” se ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore për themelimin e universitetit. Sipas tij, krijimi i një universiteti teknik është i domosdoshëm për t’i krijuar vendit zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të rinjve të ardhme të sigurt.

Ai ka thënë se fakultetet teknike i plotësojnë të gjitha kushtet meqë kanë staf të mjaftueshëm, programe të akredituara, hapësira të mjaftueshme, numër të madh të studentëve. “Edhe qeveritë e kaluara, edhe kjo qeveri, e kanë prioritet zhvillimin ekonomik dhe profilet inxhinierike si bartës kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit. Universiteti teknik do të shërbente për zhvillimin ekonomik.

Ne presim mbështetje të fuqishme nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi dhe nga shoqëria në përgjithësi”, ka thënë Rexha. Ai ka treguar se ende zyrtarisht për këtë çështje nuk kanë komunikuar me drejtuesit e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ne kemi biseduar me profesorët e fakulteteve teknike, por nuk kemi biseduar zyrtarisht me drejtuesit e universitetit. Themelimi i universitetit të ri i kalon përmasat e universitetit tonë, sepse është një sfidë dhe obligim që e ka shoqëria, gjegjësisht udhëheqësit e sektorit të arsimit.

Duhet të kemi përshtatje të kërkesave gjithnjë e më të ashpra të tregut dhe të rinjtë tanë të bëhen sa më konkurrues në tregun e punës”, ka shtuar Rexha. Ai ka thënë se, nëse Qeveria e mbështet themelimin e këtij universiteti, atëherë të rinjtë do të përfitojnë më shumë dhe do të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Arsim Bajrami, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo kërkesë do të shqyrtohet, sepse themelimi i një universiteti publik kërkon shumë analiza. “Unë kam pranuar dje një kërkesë nga këshilli iniciues i fakulteteve teknike të Universitetit të Prishtinës, i cili kërkon riorganizimin e fakulteteve teknike të UP-së në universitet publik të veçantë. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga MAShT-i, mirëpo një çështje e tillë sigurisht se do të kërkojë kohë për ta studiuar, duke zhvilluar të gjitha diskutimet e nevojshme me kuadrin akademik, studentor dhe aktorët e tjerë”, ka thënë ministri Bajrami. Ai ka treguar se themelimi i institucioneve publike të arsimit të lartë është çështje serioze që kërkon analiza të thella të arsyesshmërisë para se të merret ndonjë vendim eventual.

“Ju e dini se tashmë jemi në proces të finalizimit të projektligjit për Arsimin e Lartë, të cilin do ta dërgojmë së shpejti për miratim në Kuvend. Siç e dini, ndryshimet e propozuara përcaktojnë kritere konkrete dhe të matshme për çdo institucion të arsimit të lartë dhe të cilat do të vlejnë dhe aplikohen për çdo institucion të arsimit të lartë publik apo privat”, ka thënë Bajrami.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme