Testohet vaksina që pengon sëmundjet nga pickimi i mushkonjës

11:37 | 22 Shkurt 2017
Arbresh.info

Shkencëtarët amerikanë kanë njoftuar të martën se do të nisin të testojnë vaksinën e cila mbron nga pështyma e mushkonjës, dhe nëse rezulton e suksesshme ajo do të mund të mbrojë njerëzit nga sëmundjet të cilat transmetohen nga insektet, raporton Anadolu Agency (AA).

Vaksina në fjalë do të mund të mbrojë dhe parandalojë sëmundjet të cilat shfaqen si pasojë e virusit Zika, të pengojë përhapjen e malaries dhe etheve tropikale të Nilit Perëndimor. Vaksina eksperimentale AGS-v është zbuluar nga kompania farmaceutike SEEK me seli në Londër.

Faza e parë e testit klinik do të zbatohet në Maryland të SHBA-ve dhe do ta udhëheqë instituti Nacional për Sëmundje Infektive dhe Alergji (NIAID) i cili është pjesë e Institutit Nacional amerikan për Shëndetin (NIH).

Në fazën e parë të testimit do të përfshihen rreth 60 të rritur të shëndetshëm të moshës mes 18 dhe 50 vjeçare për çka aktualisht po bëhen rekrutimet e vullnetarëve.

“Mushkonjat shkaktojnë numrin më të madh të sëmundjeve dhe vdekjeve njerëzore nga cilado kafshë tjetër”, tha drejtori i NIAID Anthony S. Fauci.

“Një vaksinë e vetme e cila do të jetë në gjendje të mbrojë kundër goditjes së sëmundjeve që lindin nga mushkonjat, është një koncept i ri i cili po të rezultojë i suksesshëm, do të ishte një përparim gjigand në sferën e shëndetit publik”, tha më tej ai.

Vaksina AGS-v funksionon duke targetuar pështymën e mushkonjës. Secili injeksion përmban katër proteina sintetikë të cilët imitojnë ato të zbuluara në pështymën e mushkonjës.

Teorikisht, proteinat e krijuara nga njeriu do të bëjnë që sistemi i imunitetit të pacientit të prodhojë antitrupa të cilat do të shmangin infeksionet e transmetuara nëpërmjet pickimit të mushkonjës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se miliona njerëz shndërrohen në viktima nga sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat të cilat përfundojnë më vdekje të të sëmurëve.

“Në vitin 2015, vetëm nga malaria kanë vdekur 438.000 njerëz”, thuhet në deklaratën e Michelle Rose, konsulent kryesor në kompaninë Halloran që është shtëpi konsulente e SEEK-së.

Përhapja e virusit Zika është raportuar në Afrikë, Amerikë, Azi dhe Paqësor. Që nga viti 2015 e këndej, 62 shtete kanë raportuar përhapjen e virusit Zika i cili bartet përmes mushkonjës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme