Ja si kryhet kujdesi për gjirin

15:21 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

Vetëkontrolli i gjirit bëhet duke kontrolluar gjirin nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë tek ta. Duke kontrolluar gjinjtë rregullisht, ju do të mësoni se si është pamja normale e tyre.

Kjo gjë do t’ju ndihmojë të vini re menjëherë ndonjë ndryshim që mund të ndodhë në gji dhe të shkoni sa më shpejt tek mjeku.

Gjendrat në gji mund të shikohen apo të zbulohen shumë thjesht nga vetë gruaja, por kanë shumë rëndësi nëse zbulohen në kohë.

Shumë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë, të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku. Vetëkontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshme që vetëkontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku.

Kur bëhet vetëkontrolli i gjirit

Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet një herë në muaj, duke filluar qysh nga mosha 20-vjeçare. Por në çfarëdo moshe që të jeni, duhet ta ktheni në zakon vetëkontrollin mujor të gjirit.

Vetëkontrolli i gjirit këshillohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur dhe mund t’ju ngatërojnë. Për gratë në menopauzë vetëkontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që ju ta keni më të lehtë për t’u kujtuar.

Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj, ju do të bëheni familjarë me ta, do të njihni se si janë zakonisht dhe kështu do të vini re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta.

Si bëhet vetëkontrolli i gjirit?

Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim. Mund të realizohet kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë apo duke qëndruar përpara pasqyrës. Me dorë, lehtë, me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me radhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë.

Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj, kontrollo, prek dhe shiko të gjithë sipërfaqen e gjirit, duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.

Filloni që tani të ndiqni hapat e mëposhtme:

Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart në mes dhe merrni frymë me energji. Ky veprim tendos muskujt e kraharorit duke dhënë një mundësi për t’i parë më mirë gjinjtë.

Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?

Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas.

Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?

Kontrolloni me majat e gishtave të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtave të dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat.

Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?

Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë.
Vini re: Mos ka ndonjë kokërr nën sqetull?

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme