Vajza shqiptare fiksohet pas Princ Lekës, dënohet me burg (Foto)

09:45 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

Një vajzë 25-vjeçare me banim në Tiranë, ka rënë kokë e këmbë në dashuri me Princ Lekën, në një kohë që ai kishte caktuar ditën e dasmës me aktoren Elia Zaharia.

Për shkak të ndjenjës që ushqente për të, e reja me shtetësi maqedonase dhe amerikane, Fitore Bekteshi, ka përndjekur për muaj me radhë çiftin e ri të familjes mbretërore.

Ajo u është ngjitur atyre gjatë aktivitetit të përditshëm, duke i ndjekur në çdo organizim ku merrnin pjesë, në jetën profesionale apo edhe në daljet e tyre private në bare apo restorante në kryeqytet.

Bekteshi ka guxuar të futet në oborrin e banesës së familjes Zogu, nuk ka kursyer deklaratat e dashurisë me zë të lartë për Lekën në ambiente publike, si dhe ka kërcënuar Elia Zaharian në sy se “do ta përcillte”.

Fiksimi i 25-vjeçares dhe veprimet e kryera prej saj kanë shkaktuar ankth dhe frikë tek aktorja Zaharia, e cila, më 12 korrik 2016, e ka kallëzuar atë në Policinë e Tiranës.

Pasi u hetua në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, 25-vjeçarja përfundoi si e pandehur në gjykatë për akuzën e “përndjekjes”.

Më 16 shkurt 2017, Gjykata e Tiranës mbylli gjykimin e dosjes së saj, duke e deklaruar fajtore dhe e dënoi me 6 muaj burg.

Për shkak se dënimi me burgim është më i madh se dënimi i vuajtur gjykata ka konstatuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” caktuar më herët ndaj saj.

Gjatë hetimit e pandehura ka pranuar se ka ndjekur Leka Zogun duke thënë: “Doja ta shikoja Lekën, pasi ai për mua ishte një diell më tepër, dielli vetë”.

E pandehura Bekteshi ka shpërfillur edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të qenë e pranishme në ceremoninë e dasmës së çiftit mbretëror në tetor 2016.

275115

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme