Koreja Veriore: Burri i vrarë në Malajzi nuk është vëllai i Kim Jong-un

15:06 | 20 Shkurt 2017
Arbresh.info

I dërguari i Koresë Veriore në Malajzi ka mohuar se personi i vrarë në aeroportin e Kuala Lumpur javën e kaluar është gjysmë-vëllai i liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, duke thënë se hetimi i policisë  së Malajzisë për vrasjen nuk është i besueshëm.

Ky është prononcimi i parë i këtij shteti për incidentin i cili vjen disa orë pas publikimit të parë të pamjeve të kamerave të sigurisë në aeroport që tregojnë kur një grua e cila vinte nga prapa i kishte fshirë për fytyrë një burri një copë material, burri i cili menjëherë kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet, e që me pas është identifikuar se është Kim Jonh-nam, transmeton arbresh.info.

“Ka shtatë ditë qe nga incidenti, por ende nuk janë paraqitur prova të qarta për rastin e vdekjes, dhe për momentin nuk mund t’i besojmë hetimit të policisë së Malajzisë”, ka thënë i dërguari.

Ai gjithashtu tha se ambasada ka verifikuar identitetin e viktimës dhe emri i tij në pasaportë figuron si Kim Chol, qytetar i Koresë Veriore.

Në lidhje me rastin janë arrestuar dy femra dhe një mashkull, ndërsa janë hapur kërkimet edhe për katër persona të tjerë të dyshuar.

Seuli haptazi ka akuzuar Korenë Veriore për vrasjen e Kim Jong-nam./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme