Kosovës po i ikin mjekët specialistë

12:40 | 18 Shkurt 2017
Arbresh.info

Institucionet e shëndetit publik në Kosovë po përballen me fenomenin e ikjes së mjekëve specialistë nga vendi. Kuadri specialistik mjekësor po tregon interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagesat janë shumë më të mira. Edhe infermierët, në shumë raste, kanë ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.

Ndryshe, nevoja për mjekë e infermierë në Kosovë, konsiderohet e madhe. Vetëm në Qendrën Klinike Universitare, janë më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me Gertruda Dylën, mjeke specialiste e kardiologjisë, e cila ka vendosur që karrierën e saj prej kardiologe ta zhvillojë në Gjermani. Ajo, që nga viti 2011 punon në një spital privat për kardiologji.

“Në Gjermani kam filluar punën duke iu falënderuar referencave ose rekomandimeve të profesorëve gjermanë, me të cilët kam pasur bashkëpunim. Një ndër ta është Prof. Dr. Eberhard Von Hodenberg, shef i Klinikës Kardiologjike, ose origjinal ‘Herzzentrum Lahr Schwarzwald’ në Gjermani. Ai ligjëron edhe në SHBA”.

“Në Kosovë kam punuar në spitalin e Gjakovës. Nga viti 2001 deri në vitin 2011 kam ligjëruar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Institutin e patologjisë. Kam shërbyer edhe në Afganistan si mjeke”, ka treguar Dyla.

Arsyet pse ka ikur nga Kosova, sipas zonjës Dyla, kanë qenë të shumta. Por, para së gjithash ajo mendon se largimi nga vendi, vjen si zgjidhje në momentin kur vendlindja, shteti yt, nuk të ofron vendin e merituar. Në këso raste, duhet gjetur alternativa tjera, thotë ajo.

“Të vendosësh që ta lësh vendlindjen, nuk është e aspak e lehtë. Mirëpo, nëse vendlindja nuk të ofron një jetë të qetë, të dinjitetshme, me shpresë dhe perspektivë për veten tënde dhe familjen tënde, atëherë mendoj se secilit prej nesh, kur na jepet mundësia, pavarësisht sfidave e vështirësive që na presin në vendin e huaj, vendos ta lëshojë Kosovën”, thotë Dyla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po e godet vetëm Kosovën. Sipas tyre me situatën e ikjes së stafit nga vendi përballen edhe shtetet më të zhvilluara, përfshirë edhe Gjermaninë.

Por, ashtu nuk mendon edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla. Ai thotë se në anketën e fundit që është bërë, prej 1 mijë studentëve të anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

“Në Kosovë kemi nevojë për 5 mijë punëtorë shëndetësorë më shumë se sa që aktualisht i kemi. Në anën tjetër, vetë Qeveria e përkrah ikjen e tyre jashtë vendit. Ne i shkollojmë, i përgatisim dhe më pas i dërgojmë të gatshëm në shtetet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë Syla kohë më parë për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme