Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova dhe institucionet e saj, po përballen me shumë sfida si në rrafshin e brendshëm, po ashtu edhe në atë të ndërkombëtar.
Me gjithë vështirësitë në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e saj dhe izolimin për mungesë të liberalizimit të vizave, Kosova, vazhdon ta synojë vendin e saj në familjen e shteteve evropiane.
Analistët politikë konsiderojnë se ndër sfidat më të mëdha mbeten; sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian, përmirësimi i imazhit, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Analisti Halil Matoshi duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosovës si shtet i ri ende i duhet kohë që të funksionalizohet dhe forcohet në shumë aspekte.
“Natyrisht që Kosova si shtet i ka mangësitë e veta, ato janë mossundimi i ligjit, shkollimi jo i mirë, papunësia e madhe, migracioni enorm dhe korrupsioni galopant”.
“Mirëpo, në anë tjetër, si një shtet i ri praktikisht është i kërcënuar në vazhdimësi nga shteti fqinj Serbia dhe pa ulësen e vet në OKB, është ende një shtet komb i pamaturuar, dhe në këtë aspekt Kosova ende e vuan periudhën e marrjes së këmbëve ose ecjes në këmbët e veta”, tha Matoshi.
Megjithatë, Matoshi konsideron se Kosova për nëntë vjet shtet ka shënuar edhe sukseset e veta. Sipas tij, një nga sukseset, të cilin e veçon ai, është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.
“Kosova është nder vendet që kanë nënshkruar MSA-në. Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA dhe sot e ka kombëtaren e vet që garon në futboll. Kosova ende vazhdon të jetë një vend që i ka paraprirë sigurisë së vet në aspektin e terrorizmit global duke mos pasur asnjë incident”, tha Matoshi.
Shteti më i ri evropian, Kosova, vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave. Për këtë gjë Matoshi thotë se Bashkimi Evropian është ai i cili Kosovën ka vënë në geto duke mos ua mundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
“Kjo çështje Kosovës po i merr e po i shpenzon shumë energji dhe po i merr shumë kohë në vend se të ishim praktikisht të barabartë si gjithë popujt e tjerë të familjes Evropiane”, tha Matoshi.
Nga ana tjetër, analisti Artan Muhaxhiri thotë se Kosova për ketë periudhë kohore, sa është e pavarur, ka arritur që ta krijojë një sistem institucional, por në përmbajtjen e saj ka ende shumë zbrazëtira.
“Mund të jemi të kënaqur me arritjet që janë bërë deri tash, por ka dallime të mëdha në mënyrën se si funksionalizohet ky sistem. Ka pasur shumë deformime në pikat kryesore të ministrive të institucioneve të pavarura, sepse njerëzit që kanë qenë aty nga fillimi, nuk kanë qenë në shumicën e rasteve ata më meritorët dhe gradualisht është krijuar një masë kritike e personave që kanë qenë shumë të afërt me partitë politike”.
“Partizimi i institucioneve publike është një ndër të këqijat më të mëdha të sistemit institucional në Kosovë dhe kjo ka pasur pasoja të mëdha në mënyrën e përgjithshme të funksionimit të shtetit”, tha Muhaxhiri.
Kosova ende po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.
Muhaxhiri mendon se Kosova dhe institucionet e saj, nuk kanë shfrytëzuar sa duhet kapacitetet e veta dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për përmirësimin e shumë çështjeve.
“Kemi pasur një përkrahje të madhe nga faktori ndërkombëtar dhe nuk kemi ditur që ta shfrytëzojmë atë maksimalisht. Ka ngecje të mëdha, posaçërisht në sistemin e drejtësisë që është zemra e gjithë sistemit institucional ku pa shërimin e tij, nuk mund të ketë ndonjë përparim të madh”, tha Muhaxhiri.
Sido që të jetë, sipas analizave vendor, por edhe atyre ndërkombëtar, Kosova renditet në mesin e vendeve pjesërisht të lira, kurse në kuadër të hartës evropiane, ajo mbetet ende vendi më pak i zhvilluar ekonomikisht. /rel
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...