Trumpi dhe “plani” Rama-Vuçiq

21:34 | 17 Shkurt 2017
Arbresh.info

Ndërkohë që në Shqipëri tensionet politike janë rritur, sidomos në prag të protestës së opozitës, një nga organizatat më të njohura evropiane – “Democracy Ranking”, me qendër në Vjenë – paralajmëron se zhvillimet negative në Ballkan janë të rrezikshme.

 Në renditjen “Democracy Ranking”, Shqipëria ka njohur përmirësim në fushën politike dhe shoqërore, por është përkeqësuar në fushën ekonomike.

Bosnja dhe Maqedonia janë përkeqësuar në fushën politike, por kanë njohur përmirësim në fushën ekonomike.

Në këto kushte, duke folur nga Vjena, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, tha se kanë përgatitur një plan, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe kreun e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Denis Zvizdiq.

Vuçiq, që duket se nuk do jetë kryeministër shumë shpejt, tha se ky dokument përmban parimet për një treg të përbashkët dhe një union doganash.

“Bëhet fjalë për projekte infrastrukturore që do të lidhin rajonin dhe njerëzit. Krijimi i një unioni doganor do ta përmirësojë situatën në rajon. Sa më të pasur të jemi, aq më mirë për ne”, ka htënë ai.

Ndërkohë, sytë e Ballkanit për momentin janë nga Washingtoni. Presidenti i ri, Donald Trump, e ka cilësuar aleancën e NATO-s si të dalë kohe dhe ka kërkuar që vendet e NATO-s të shtojnë ndjeshëm shpenzimet për sigurinë. Natasha Srdiq, presidente e Institutit Adriatik, në një shkrim në Huffington Post thotë se Trump ka të drejtë. Sipas saj, kufijtë në Ballkan janë të pasigurt dhe kalohen kollaj nga terroristët.

Ajo madje shkruan se droga ka ‘përmbytur’ kufijtë në Ballkan.

“Korrupsioni është i përhapur shumë. Krimi i organizuar bashkëjeton me korrupsionin politik. Politikanët e korruptuar e përdorin anëtarësimin në NATO si mjet për të blerë legjitimitet,” shkruan ajo.

Të premten, duke iu përgjigjur shqetësimit të SHBA, NATO bëri të ditur në Konferencën e Sigurisë në Munih se vendet anëtare do rrisin ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen deri në vitin 2024. /Mapo/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme