Mitrovicasit festojnë ndryshe nëntë vjetorin e Pavarësisë

16:56 | 17 Shkurt 2017
Arbresh.info

Në nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shumë qytetarë të Mitrovicës, kanë shfrytëzuar motin e mirë për të dalë nëpër rrugët e qytetit dhe për ta shijuar këtë ditë.

Ata thanë se festa e sotme është e mangët në Mitrovicë, pasi që ky qytet akoma mbetet i ndarë, ndërsa shpresojnë se në një të ardhme të afërt edhe këtu do të festohet sikurse gjithandej shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, për kremtimin e 17 shkurtit ditës së Pavarësisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Mitrovicë, ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturo-artistike dhe sportive, ndërsa koncerti i Pavarësisë që u organizua në bashkëpunim me organizata joqeveritare ‘Art Libitum’ u mbajt në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Brikena Macula, qytetare, potencoi se Mitrovica që prej pasluftës ka mbetur e ndarë, andaj edhe festimet këtu janë të mangëta.

 

“Mitrovica pasi që sa vite prej pasluftës është e ndarë, gjithmonë edhe festimi është i mangët. Sot po më duket koha e mirë dhe njerëzit kanë dalë më shumë me shëtitë sesa…I mangët sepse është qyteti i ndarë”, tha ajo.

Edhe bashkëshorti i saj, Erblin Macula, theksoi se festat këtu janë të mangëta për shkak se një pjesë e territorit të vendit akoma nuk e ka shijuar lirinë e plotë.

Sipas tij, mitrovicasit festojnë gjithmonë ndryshe nga qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës.

Ai u shpreh i bindur se një ditë qyteti i Mitrovicës do të bashkohet, duke thënë se për këtë duhet të ndërrojë krejtësisht politika.

 

“Festa e Pavarësisë në Mitrovicë që 9 vite është e mangët, sepse siç e dimë një pjesë e territorit tonë ende nuk e ka shijuar lirinë si pjesët tjera. Ndryshe feston qytetari i Gjilanit, Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit…për dallim prej neve këtu në Mitrovicë…Besoj se një ditë Mitrovica do të jetë qytet i bashkuar, por për këtë duhet të ndërrohet plotësisht qasja dhe kursi i deritanishëm edhe i bisedimeve që po bëhen, edhe i krejt politikës tonë”, ka thënë Macula.

Këngëtarja e njohur mitrovicase, Teuta Kurti, duke pranuar se situata dhe gjendja në Mitrovicë është më ndryshe nga qytetet tjera të vendit për shkak të specifikave të veta që ka, u shpreh optimiste për të ardhmen e këtij qyteti dhe qytetarëve të saj.

Ajo tha se këtë festë vitin e ardhshëm do ta festojnë edhe në veri.

 

“Shpresën nuk bën me humb pavarësisht gjendjes dhe situatës në të cilën gjendemi dhe me të cilën jemi duke u përballë kohëve të fundit… Kështu që viti i ardhshëm do të na pret edhe në pjesën veriore… Megjithatë kuptohet se Mitrovica është më ndryshe se qytetet tjera, është qytet i përgjysmuar, është papunësia më e madhe” theksoi Kurti.

Ndërkaq, Maliq Sylejmani, banor i pjesës veriore të Mitrovicës, tha se përkundër situatës aktuakle të vështirë, megjithatë është arritur të ndjehet një atmosferë festive.

Sipas tij, shqiptarët duhet që me mençuri të realizojnë aspiratat e tyre, dhe në këtë mënyrë t’i bindin serbët se edhe ata janë qytetarë të shtetit të Kosovës, dhe një ditë kjo festë të festohet edhe në atë pjesë.

 

“Është arritur jo sa duhet, megjithatë ndjehet një atmosferë e pavarësisë. Jo, ende jo, por kjo nuk do të thotë se nesër nuk do të festojmë. Krejt varet prej mençurisë tonë…Gradualisht me mençuri unë shpresoj shumë shpejt se edhe ata do t’ joshim se janë qytetarë tonë të këtij shteti”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Fidan Ademi, ka bërë të ditur për KosovaPress se Drejtorisë të cilën ai e udhëheqë i ka kushtuar rreth 5 mijë euro përgatitja me aktivitete kukturo-artistike dhe sportive të cilat janë organizuar pesë ditë me radhë për Ditën e Pavarësisë.

 

“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka organizuar një sërë aktivitetesh për nder të Pavarësisë së Kosovës. Kemi filluar prej datës 15 dhe deri më datën 20 do të vazhdojnë aktivitetet tona kulturore dhe sportive…Jemi munduar që mos ta lëmë keq organizimin, ka kushtuar bukur shumë, megjithatë mendoj se ia ka vlejtë për shkak se është bërë një festë dinjitoze e Pavarësisë…Diku rreth 5 mijë euro, ndonëse nuk janë edhe aq shumë por neve duke kursyer po na duket prap shumë”, tha Ademi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme