Komisioni Europian: Kosova masa të menjëhershme për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit

18:15 | 16 Shkurt 2017
Arbresh.info

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajnë takimin e parë të nënkomitetit mbi transportin, mjedisin, energjinë, klimën dhe zhvillimin regjional. Komisioni Europian shprehu shqetësimin në lidhje me progresin e kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit
Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet e viteve të fundit në fushën e tranportit, mjedisit, energjisë, klimës dhe zhvillimit regjional. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) e cila hyri në fuqi në Prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike.

Në lidhje me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësimin ndaj progresit të kufizuar në këtë fushë e cila është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre. Në veçanti, Komisioni shprehu shqetësimin në lidhje me progresin e kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. Sa i përket menaxhimit të mbeturinave, Komisioni inkurajoi përpjekje më të mëdha në zhvillimin e një sistemi më efikas të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë.

“Sa i përket klimës, Kosova ende duhet të zbatojë rregullat e BE-së për luftimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike. Është rënë dakord që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë strategjinë dhe planin e veprimit mbi ndryshimin klimatik”, thuhet në komunikatën e Zyra e Komisionit Europian.

Po ashtu janë diskutuar zhvillimet e fundit legjislative dhe të politikave në fushën e transportit. Komisioni ka theksuar nevojën për të vazhduar zhvillimin e projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit të transportit bazë për Ballkanin Perëndimor. Të dyja palët u pajtuan mbi nevojën për të vazhduar reformat, duke përfshirë përforcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullative, në sektorin e transportit dhe për të ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e sigurisë rrugore, për të mirën e qytetarëve.

Në lidhje me energjinë, Komisioni theksoi rëndësinë e finalizimit të një strategjie të re gjithëpërfshirëse afatgjate e cila duhet qartë të definojë prioritetet e Kosovës në këtë sektor, duke përfshirë planet në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare siç është mbyllja e Kosova A, renovimi i Kosova B dhe zbatimi i pakos së tretë të energjisë.

Komision theksoi rëndësinë e rritjes së konsiderueshme të përpjekjeve të Kosovës mbi energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë, duke përfshirë themelimin e një mekanizimi mbështetës financiar për financimin e efikasitet të energjisë.

Po ashtu u theksua rëndësia e zhvillimit regjional.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme