Të paktën 14 persona kanë përfunduar në prangat e policisë greke, disa prej të cilëve shqiptarë në kuadër të një operacioni hetimor disamujor që çoi në shpërbërjen e një organizate që merrej me trafikun e drogës.
Qindra të mitur nga verilindja e Shqipërisë braktisën shkollat dhe ikën përmes rrjeteve të trafikut klandestin në Britaninë e Madhe, por shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë rrezikojnë të shfrytëzohen në tregun e egër të skllavërisë moderne.
Rrethuar nga mjegulla e dendur e Londrës, katër djem në kapërcyell të fëmijërisë pozojnë para “shtëpisë së Lordëve” me duart e lidhura në formën e shqiponjës.
Pas shpatullave të tyre, në kulmin verior të parlamentit të stilit neo-gotik lartohet kulla e famshme e orës; dëshmitare e vështrimit të përhumbur dhe fëmijërisë së pazakontë që djemtë nga qyteza e vogël e Krumës po përjetojnë në kërkim të së ardhmes në Britani.
Për autoritetet britanike, katër fëmijët janë pjesë e një komuniteti 100 fish më madh azilkërkuesish të pashoqëruar nga Shqipëria, që pasi prekën tokën e mundësive me ndihmën e trafikantëve të qënieve njerëzore, rrezikojnë të bien sërish në rrjetën e tyre si krah i lirë pune në të zezë.
Rreth 2500 kilometra në Lindje, në qytezën origjinë të Krumës në verilindje të Shqipërisë, fëmijët e vetmuar të Londrës janë frymëzimi i vetëm për qindra të tjerë.
“Nëse im bir do të dojë, do t’i thosha ik” ia pret shkurt Flamur Dauti dhe i hedh një vështrim të shpejtë të birit-një 10 vjeçar që me zor mban çantën e rëndë të shkollës ndër duar.
“Unë u ktheva këtu se ashtu i kisha hallet”.
Mësues anglishteje dhe drejtor i gjimazit “Skënderbeu” të Hasit, Dauti shpjegon se të rinjtë shtyhen drejt emigrimit nga mungesa e mundësive në vendlindje, në kërkim të një jete më të mirë.
Gjimnazi me mbi 700 nxënës, sipas tij nuk ka pasur largime masive, pasi rregullat e emigracionit favorizojnë më të vegjlit.
Në vitin 1998, zona e Hasit njohu valën më të madhe të emigrimit drejt Britanisë së Madhe, ku afërsia me Kosovën asokohe në luftë u dha banorëve këtej malit të Pashtrikut mundësinë e një jete të re nën identitetin Kosovar për t’i shpëtuar varfërisë.
Gati dy dekada më vonë, brezi i dytë i emigrantëve nga Hasi përbëhet kryesisht nga fëmijë dhe adoleshentë të pashoqëruar, të etur për një identitet të ri të vulosur mbi një pasaportë britanike.
Fëmijë azilkërkues
Me më pak se 10 mijë banorë, qyteza e Krumës është qendra e rrethit të Hasit, por vendasit thonë me humor se “bashkia e tyre më e madhe ndodhet në Londër”. Me shpresën e një jete të begatë, ata u ngulën njëri pas tjetrit në Barking-një ndër 10 lagjet më të këqija të Londrës sipas një sondazhi të publikuar në “The Indipendent”.
Gjimnazi “Skënderbeu” dhe shkolla 9-vjeçare përbri tij përbëjnë zemrën e qytezës së vogël, ku lëvizjet shuhet si me buton pas përfundimit të orarit të mësimit. Në mesditë, numri i makinave të parkuara në shëtitoren kryesore të qytetit e kalon atë të pallateve, por lëvizjet janë të rralla, rrugët të shkreta dhe kafenetë janë të vetmet biznese që lulëzojnë me klientelën e tyre unisex; djem, burra dhe tym duhani.
Rrugët e qytezës së Krumës zbrazen pas përfundimit të shkollës
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Kukësit tregojnë braktisje të shkollave të mesme, kryesisht për arsye emigrimi. Nga viti 2013 deri në 2016, rezultojnë të kenë lënë studimet në mes 834 nxënës të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.
Fitor Ollomani, koordinator i Drejtorisë Arsimore në qendrën antitrafik shpjegon se kjo strukturë verifikon në terren dhe takon prindërit e çdo të mituri që largohet nga shkolla.
“Prindërit na kanë informuar se fëmijët e tyre janë larguar për në Angli apo vende tjera perëndimore,” tha Ollomani.
Ambasada britanike në Tiranë i konfirmoi BIRN se nga ky kontigjent, një grup prej më shumë se 400 të miturish ndodhen nën kujdesin e institucioneve në Britaninë e Madhe.
“Kanë mbërritur atje në rrugë legale dhe ilegale, por qëndrojnë në mënyrë klandestine në Britaninë e Madhe,” tha një zëdhënëse e ambasadës.
Home Office- ministria e Brendshme dhe e Emigracionit në Britaninë e Madhe raporton se fëmijët e pashoqëruar nga Shqipëria zënë vendin e tretë në listën e azilkërkuesve, pas Afganistanit dhe Eritreas. Deri në mars 2016, të miturit nga Shqipëria kishin dorëzuar 425 kërkesa për azil.
Ndryshe nga të rriturit, fëmijët e pashoqëruar kanë shanse më të mëdha për t’u pajisur me dokumente; 73 % e aplikimeve të vitit 2015 morën një përgjigje pozitive në shqyrtimin e tyre të parë, sipas Home Office.
Pavarësisht politikës së pranimeve, fëmijët refugjatë përbëjnë shqetësim në rritje për autoritetet britanike.
Në një vizitë të tij në qarkun e Kukësit në dhjetor, ambasadori britanik Duncan Norman tha se adoleshentët shqiptarë rrezikojnë të bien pre e krimit të organizuar pas moshës 18 vjeç dhe shprehu bindjen se zgjidhja më e mirë është kthimi i tyre pranë familjeve.
Por zgjidhja e ofruar nga ambasadori mban prej një viti e gjysmë në ankth Isa Rexhën.
Ish-punonjës policie i nxjerrë në lirim në vitin 2014, Rexha-52 vjeçar me trup të bëshëm mbledh shpatullat sa një grusht dhe fjalët i ngecin në grykë kur flet për më të voglin e djemve-azilkërkues prej një viti e gjysmë në Britani.
“Im bir iku për një jetë më të mirë, pasi ne nuk kishim mundësi t’i siguronim të ardhmen këtu. Jeton në një familje – nëna angleze e do shumë dhe kujdeset jashtëzakonisht mirë për të,” thotë Rexha për BIRN.
Pasi mbushi 15 vjeç, i biri udhëtoi me dajën e tij në Francë në tetor 2015, por ndryshoi rrugë dhe ndoqi gjurmët e të tjerëve që ikën përpara tij drejt Anglisë. Prindërit dinë se ai udhëtoi i vetëm nga një stacion treni në Paris drejt zonës kufitare me Britaninë, ku i thanë të qëndronte i fshehur në një arë me misër.
Në apartamentin e tyre në Krumë, prindërit tregojnë se djalin e tyre trupvogël e hodhën mbi njerëz të tjerë në rimorkion e një kamioni dhe me të mbërritur në Britani, ai u paraqit tek autoritetet si fëmijë i pashoqëruar.
Prej një viti e gjysmë, djali shkon në kolegj, ndjek kurset e gjuhës angleze, merret me sport dhe i vetmi shqetësim, sipas prindërve të tij është një përgjigje negative e marrë së fundmi nga zyra e emigracionit.
Djali i vogël nuk është fëmija i vetëm i Rexhës që po tenton të ndërtojë të ardhmen jashtë kufinjve të Shqipërisë. Gjashtë vjet më parë emigroi edhe djali i madh, puna e të cilit është sot mbështetja kryesore për familjen pa asnjë të ardhur dhe për shkollimin e djalit të mesëm në Tiranë.
“Vetëm këtu mund të ndodhë- të kesh tre djem e të thuash falë zotit që nuk i kam në shtëpi,” thotë Rexha dhe sytë e mbushur me lot i japin pamjen e një gjigandi të mirë.
Kontaktet e të miturve me trafikantët e qënieve njerëzore dhe rreziqet që u kanosen atyre pas daljes nga skema e përkrahjes sociale në Britaninë e Madhe janë të njohura për autoritetet e policisë së Kukësit, që mendojnë se “trafikimi i tyre është një krim kompleks dhe i vështirë për t’u zbardhur”.
Perlat Vatoci, drejtori i policisë së qarkut i tha BIRN se kompleksiteti i këtyre hetimeve qëndron në faktin se askujt nuk mund t’i refuzohet e drejta për të udhëtuar në zonën Schengen, qoftë të shoqëruar nga prindërit apo me deklarata noteriale të autorizuara prej tyre.
“Për ne si Polici e Shtetit, paligjshmëria fillon në Francë, atje ku kalojnë tunelin e La Manshit për në Angli, ndaj kërkohet edhe një hetim më kompleks,” tha Vatoci për BIRN.
Hetimet e kryera nga policia tregojnë se pagesat për trafikantët e qënieve njerëzore kapërcejnë shumën e 5 mijë paundve, por në më të shumtën e rasteve ato paguhen prej të afërmve të tyre në Britani, vetëm pasi të miturit mbërrijnë atje.
Të miturit paraqiten tek autoritetet me një histori të paketuar mirë si fëmijë të braktisur, të arratisur nga gjakmarrja apo nga probleme të tjera në vendin e origjinës.
“Në bashkëpunim me autoritetet britanike ne kemi verifikuar pretendimet e të miturve në Britani dhe kanë rezultuar të pavërteta. Ata nuk janë fëmijë të braktisur, por arsyet e emigrimit kanë qenë ekonomike,” tha Vatoci.
Pasoja të shumëfishta
Emigrimi përbën shtyllën kryesore për ekonominë e varfër të Hasit-zonë e cila historikisht është mbajtur me bujqësi dhe blegtori, por që sot stërmundohet të gjejë treg për produktet – një litër qumësht shitet për 35 lekë.
Vendet e pakëta të punës në qytet ndahen mes punonjësve të administratës publike, ndërkohë që vala e emigrimit masiv ka gërryer aftësitë e institucioneve për të thithur specialistë të kualifikuar.
Kryebashkiaku i Krumës, Adem Lala pohon se shumica e familjeve të mbetura në Has mbijeton falë parave të ardhura nga emigracioni, por ai është njëherazi kritik për modelin që vjen nga Britania dhe krijon perceptime dhe shpresa të gabuara për brezin e ri.
Kryebashkiaku tregon se emigrantët vijnë në shtëpi me makina të shtrenjta, shpenzojnë para për të qerasur të tjerët në lokale dhe bëhen magnet për ata që kanë mbetur në vendlindje.
“Edhe im bir që është ende në 9-vjeçare më thotë se do të ikë,” thotë kryebashkiaku.
Lala shqetësohet gjithashtu për zhvillimin afatgjatë të zonës, ndërsa thotë se emigrimi i ka bërë dembelë njerëzit që jetojnë në Has.
“Kemi probleme të mëdha për të gjetur dhe punësuar njerëz të profesioneve si inxhinierë apo topografë. Në projektin e rikonstruktimit të qendrës së qytetit nuk gjenim as punëtorë dhe i morëm nga Tirana,” shton ai.
Sami Gjoni, veteriner prej shumë vitesh nuk bie dakord me kryetarin e Bashkisë, pasi mendon se vendi nuk ofron asnjë të ardhme për gjashtë fëmijët e tij.
I biri, nxënës i dalluar i klasës së nëntë udhëtoi me vizë në Britaninë e Madhe dhe nuk u kthye më. Gjoni e miraton vendimin e tij.
“Më mori në telefon dhe më tha: babë, unë nuk kthehem më,” tregon Gjoni. “Do të isha shumë i shqetësuar nëse nuk do të kishte dajën e tij që kujdeset për të atje”.
Me një dyqan të vogël produktesh veterinare dhe një shtëpi në Tiranë, gjendja ekonomike e Gjonit konsiderohet mbi mesataren dhe ndryshe nga shumë të tjerë në zonë, ai nuk pret mbështetje financiare nga i biri.
Sami Gjoni shpreson megjithatë që në këtë përpjekje, i biri të përmirësojë gjuhën, të shkollohet, të marrë një kulturë tjetër dhe të ketë mundësinë të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten.
“Im bir ëndërronte të bëhej hidraulik, si daja i vet, por tani dëshiron të bëhet inxhinier. Ditën që do të fillojë shkollën atje unë do të bëj festë,” pohon ai.
Shpresa të thyera
Iluzionet në shtëpi janë shpeshherë larg realitetit të përjetuar nga shumica e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Mundësitë për t’u pajisur me dokumente të rregullta apo për të vënë pasuri janë gjithashtu të kufizuara.
Dy djem në moshë të re, të kthyer nga Londra i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se paguan deri në 7 mijë paund për të realizuar ëndrrat në Britani, por shpresat e tyre nuk u përmbushën.
Të dy udhëtuan ilegalisht drejt Britanisë, të ndihmuar nga trafikantë indianë dhe pakistanezë, që sipas tyre kryesojnë linjat e trafikut të qënieve njerëzore. Secili qëndroi nga 4 vjet në emigracion, por asnjëri nuk ia doli të pajisej me dokumente të rregullta.
I pari, sot 30 vjeç tregon se punoi me orë të zgjatura në një lavazh për 50 paund dita, pa mundur të mësojë anglisht dhe as të integrohet në jetën e atjeshme.
I dyti, biond me flokë të rruar njësh me kokën tregon se kishte pasur shanse më të mira për t’u pajisur me dokumente, pasi kishte ikur në moshë të mitur dhe kishte ndjekur një kolegj në Londër. Gjithsesi, kërkesa e tij për azil ishte refuzuar “për shkak të neglizhencës” dhe në vitin 2011 ishte kthyer sërish në Krumë.
Të miturve shqiptarë u pëlqen të bëjnë fotografi me policët londinezë. Foto : Facebook
“Atje ke mundësi të apelosh vendimet deri në 21 vjeç dhe më pas, nëse gjen ndonjë avokat të mirë ia del,” thotë njëri prej shokëve në një lokal të Krumës. “Për mua aq qe e thënë,” shton ai.
Djemtë tregojnë se lavazhet janë kantieri kryesor i punës për shqiptarët ilegalë të Britanisë. Të menaxhuara në masë nga shqiptarët pasi ua kanë marrë me qera rumunëve, ato garantojnë punë me 40-50 paundë dita për emigrantët, të cilët fillimisht shlyejnë borxhet e rrugës dhe më pas punojnë për vete.
Lavazhet-sipas disa dëshmive të mbledhura nga BIRN janë gjithashtu stacioni i parë për të miturit që u refuzohet azili nga autoritetet.
“Pak pasi marrin përgjigje negative, ata kalojnë direkt në të zezë,” shpjegon njëri prej djemve të kthyer.
Një tjetër front i gatshëm për punë skllavëruese është edhe ndërtimi.
Fëmijët e zhdukur nga sistemi social përbëjnë një shqetësim shtesë për autoritetet britanike të sigurisë. Një investigim i BuzzFeed News, i publikuar në verën e vitit 2016 pas kërkesave për informim në 130 autoritete lokale në Angli dhe Uells tregon se numri i fëmijëve shqiptarë që humbën nga radarët e shërbimeve sociale u dyfishua mes viteve 2014-2015.
Autoritetet britanike dyshojnë se të miturit nga Shqipëria, pasi largohen nga sistemi social rrezikojnë të kthehen në viktima të shfrytëzimit në punë, të shfrytëzimit seksual apo të rekrutimit nga grupet e organizuara kriminale.
Ky shqetësim mbështetet nga raportet periodike të Agjencisë Kombëtare të Krimit: shqiptarët, të rritur dhe të mitur kryesojnë listat e të referuarve si viktima të skllavërisë moderne në autoritetet qendrore dhe ato lokale të Britanisë së Madhe. [Kliko këtu për raportin]
Sipas Mekanizmit Kombëtar të Referimit, një sistem për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe të skllavërisë në Britaninë e Madhe, nga korriku deri në shtator të vitit 2016 u identifikuan 147 shqiptarë, mes të cilëve 101 adultë dhe 46 minorenë. Shqiptarët janë të dytët e raportuar për shfrytëzime të llojeve të ndryshme, pas vietnamezëve.
Në Krumë, dëshmitë e mbledhura nga BIRN tregojnë se shqetësimi është ekzagjerim dhe pjesë e përpjekjeve që shqiptarët bëjnë për të përfituar dokumente të rregullta.
Vend i vogël ku çdo lajm përhapet me shpejtësi, banorët këmbëngulin se askush nga zona e Hasit nuk ka pasur probleme në Angli dhe se mungesa e mundësive është lehtësuar nga kodet e traditës së mbështetjes dhe ndihmesës për tjetrin.
Vetëdija kolektive pranon megjithatë si përpjekje normale kalimin disa herë nëpër duart e trafikantëve të qënieve njerëzore, punën me orë të zgjatura dhe pa asnjë garanci në të zezë apo jetesën mes rreziqeve në getot e periferisë.
“Atje mësova të mos i besoj askujt, pasi çdo episod përdorej për efekt të marrjes së azilit,” i tha BIRN-it njëri prej djemve të kthyer nga Londra.
“Vajzat të denonconin për hiçmosgjë për ngacmim seksual, ndërsa burrat për agresion pasi duke shitur tjetrin i shtonin mundësitë vetes,” thotë ai.
Pas përvojës së Britanisë, i riu ka provuar emigrimin në kohë të shkurtër në Zvicër dhe Francë, ndërsa Kanadaja është objektivi i tij më i ri. Thotë se nuk e gjen veten në qytetin e lindjes dhe se nuk sheh asnjë zgjidhje tjetër për veten, përveçse të bëhet një “emigrant me letra”.
“You never stop trying,” përsërit me një anglishte me theks të fortë. “S’do resht asnjëherë”!
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...