Reagon Qeveria për letrën kërcënuese të ISIS-it ndaj UP-së

20:28 | 15 Shkurt 2017
M. A.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka pranuar me shqetësim informatat se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një letër kërcënuese në emër të organizatës terroriste të ashtuquajtur “Shteti Islamik”, përcjell portali Arbresh.info.

Qeveria i ka ftuar organet kompetente shtetërore që të zbardhin këto kërcënime dhe të përballin me drejtësinë kryesit e akteve të tilla.

“Duke ftuar qytetarët e Kosovës që të jenë të qetë, Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e plotë që, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë strategjikë, të luftoj dhe të jap kontribut në të gjitha format në luftën globale kundër terrorizmit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria.

Qeveria po ashtu ka dënuar “mbishkrimet e ulëta që janë shfaqur në disa objekte private në Gjilan, të drejtuara kundër komunitetit serb”.

“Duke pas parasysh ambientin e sigurt në Kosovë dhe përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Kosovës për vlerat e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve, Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që të marrin të gjitha masat dhe të venë para drejtësisë individët e papërgjegjshëm që kanë kryer këto akte vandale, kushdo që ata janë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

“Republika e Kosovës është sot modeli më i mirë i shtetit ku respektohen të drejtat më të avancuara për të gjithë qytetarët dhe se vlerat e bashkëjetesës paqësore dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve nuk mund të vihen në pikëpyetje nga parullat e vandalëve dhe mbishkrimet që kanë për synim ngritjen e tensioneve, kudo që ato mund të shfaqen dhe ngado që mund të vijnë”, përfundon komunikata./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme