Vizita – Meta takon homologen në Vjenë: Austria mbështet integrimin e Shqipërisë

17:56 | 15 Shkurt 2017
Arbresh.info

Gjatë vizitës së tij në Vjenë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, shoqëruar prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade u prit sot në Parlamentin austriak nga Presidentja e Këshillit Kombëtar të Austrisë, Doris Bures.

Kryetari Meta dhe Presidentja Bures vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta e miqësore mes Shqipërisë e Austrisë dhe ndanë bindjen se intensifikimi i bashkëpunimit mes dy parlamenteve është shumë i rëndësishëm për një impuls të ri mes dy vendeve.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, dhe vuri në dukje se Shqipëria po punon për t’i ofruar më shumë argumente partnereve si Austria që janë avokate të fuqishëm.
Në këtë kuadër u bisedua mbi ecurinë e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë ku z. Meta dhe znj. Bures ndanë bindjen e përbashkët se progresi cilësor i kësaj reforme kyçe do t’i shërbejë ritmit të integrimit evropian, luftës me efikase ndaj korrupsionit, forcimit të shtetit ligjor dhe do të rrisë kredibilitetin e Shqipërisë në botë, veçanërisht në drejtim të investimeve të huaja.

Presidentja e Këshillit Kombëtar të Austrisë, Doris Bures, duke vënë në dukje sfidat me të cilat përballet hapësira evropiane, theksoi se Austria do t’a mbështesë gjithnjë Shqipërinë në integrimin e saj ne BE.
Në këtë kuadër u vlerësua roli i Austrisë në krijimin e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Bruksel si dhe rëndësia e Procesit të Berlinit.
Meta vlerësoi gjithashtu edhe Strategjinë e Bashkëpunimit për Zhvillim të Përbashkët 2015-2020 e cila do të ndihmojë në fushat e arsimit profesional dhe mirëqeverisjes.

Me tej Meta theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht prioritetet kryesore të Presidencës Austriake të OSBE gjatë vitit 2017.
Gjatë takimit u bisedua edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe u vlerësua roli i Austrisë në rajonin e Ballkanit.
Në këtë kuadër, z. Meta e ftoi znj. Bures për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë që u pranua me kënaqësi.
/Oranews.tv/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme