Rama: Emigrantët shqiptarë do të votojnë nga vendi ku jetojnë

13:14 | 15 Shkurt 2017
Arbresh.info

Emigrantët do të votojnë në zgjedhje nga vendi ku jetojnë, pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri, është shprehur kryeministri Edi Rama. Ai tha se hapi i parë është regjistrimi i shqiptarëve jashtë vendit, për tu përfshirë pastaj në sistemin e votimit.

“Dua të theksoj se për ne mbetet sfida e sfidave që të sigurojmë pjesëmarrjen në procesin më të rëndësishëm që janë zgjedhjet të të gjithë qytetarëve që banojnë jashtë vendit. Për të garantuar pjesëmarrjen në votime duhet të regjistrojnë shqiptarët jashtë vendit. Jemi i vetmi shtet në Europë që nuk ka të regjistruar njerëzit e vet. Nuk di as sa janë, as ku janë, as çfarë nevojash kanë dhe pa bërë këtë regjistrim e kemi të pamundur t’i përfshijmë të gjithë shqiptarët në procesin e votimit. Procesi ka filluar. Ky regjistrim i përgjithshëm që ka nisur e që do të shtrihet në të gjitëh territoret ku jetojnë shqiptarët përmes aplikimeve online do të na japë mundësi që më herët se sa vonë të mund ti përfshijmë shqiptarët jashë vendit në procesin demokratik duke i dhënë mundësi të votojnë nga aty ku janë e mos të jenë të detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Kuptohet që dhe kjo do të kërkojë kohën e vet. ”, tha Rama.

Ai u shpreh për një unifikim të shërbimeve konsullore me Kosovën, por duke theksuar se kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për një Shqipëri të Madhe. Madje kryeministri hodhi edhe idenë e krijimit të një konsullate ballkanike.

Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati foli për një monitorim të konsujve në të gjitha nivelet. “Krjimi për herë të parë i një arkive të saktë dixhitale dhe të aksesueshme të të gjithë dokumentacionit të shërbimeve konsullore. Tashmë dhe ai do të ketë kujtesën e vetë institucionale”, tha Bushati.

Në Shërbimin Konsullor Online do të gjenden plot 36 shërbime konsullore me procedura të thjeshta, tërësisht të standardizuara dhe të unifikuara në një platformë të vetme./ Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme