Policia: Dhjetë studentë shoqërohen në Polici, pesë policë lëndohen

13:11 | 15 Shkurt 2017
Arbresh.info

Policia e Kosovës sot me kërkesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka bërë sigurimin e perimetrit të jashtëm të objektit të Rektoratit të UP-së, përderisa aty po mbahej ceremonia e shënimit të përvjetorit të 47-të, të themelimit të këtij Universiteti.

Ndërkohë që ceremonia po mbahej, individë të caktuar të infiltruar brenda në forma të ndryshme, kanë provuar të pengojnë mbarëvajtjen e ceremonisë.

Të njëjtit janë nxjerrë jashtë nga sigurimi i brendshëm i Rektoratit të UP-së.

Pas nxjerrjes së tyre jashtë objektit ata janë bashkuar me grupin tjetër të personave të cilët përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit të policisë nuk kanë përfillur zyrtarët policor dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policor që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre.

Në një situatë të tillë me qëllim të neutralizimit të veprimeve të dhunshme, policia ka bërë një reagim duarthatë, deri në momentin kur agresiviteti ka qenë shumë i shprehur me ç’ rast është bërë i domosdoshëm aplikimi i mjeteve ndërmjetëse.

Për rrjedhojë nga kjo situatë pesë policë kanë mbetur të lënduar, dhe të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Dhjetë persona janë shoqëruar në stacionin policor, ndërkaq policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme