Google ADS

Nisma për Kosovën: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë

15:05 | 14 Shkurt 2017
M. A.

Së fundi janë shtuar zërat rreth mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Sot në media u raportua se në Partinë Demokratike të Kosovës është diskutuar për zgjedhjet nacionale madje është propozuar që ato të mbahen në muajin maj ose qershor të këtij vitit. Në partinë Nisma për Kosovën thonë se nuk ka rëndësi se kur mbahen ato, në maj ose qershor, por e rëndësishme është që të mbahen së më shpejt.

Në një prononcim për Indeksonline, Sekretari organizativ i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka theksuar se opozita nuk ka të drejtë tani të thotë se nuk është koha e përshtatshme për zgjedhje sepse kjo do të ishte hipokrizi e llojit të vet pasi që në vazhdimësi kemi kërkuar mbajtjen e tyre.

Sipas tij udhëheqja e LDK-së është e vetëdijshme se tradhtia që i ka bërë elektoratit të vet duke hyrë në koalicion me PDK-në, elektorati nuk ia ka falë. “Prandaj, po besoj që, duke e shtyre sa më shumë që të jetë e mundur mbajtjen e zgjedhjeve, ata shpresojnë se do të zvogëlojnë dëmin që e ia kanë shkaktuar partisë së tyre. Pra, shpresën për të evituar humbjen e rëndë që mund ta pësojnë në zgjedhjet e ardhshme e kanë varur te harresa dhe falja nga elektorati i tyre”, ka shtuar Sherifi.

Sipas Sherifit shumica parlamentar nuk ekzistojnë për veten e tyre por që ata prodhojnë qeveri të cilat kanë për detyrë të marrin vendime.

“Kjo qeveri e kësaj shumice parlamentare e ka humbur aftësinë për të marrë vendime. Ajo ka kohë që qëndron aty vetëm për veten e tyre dhe jo për t’i kryer detyrimet për të cilat është e mandatuar. Kur shumicat parlamentare humbin aftësinë për t’i bindur deputetët e tyre që t’ua votojnë projektet ato japin dorëheqje në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Tani e di që qeveritarëve nuk ju pëlqen t’ua rikujtojmë këto fakte, po sikur e thonë edhe vet kur u bie mirë se kështu funksionon demokracia! Ose je i aftë për të marrë vendime ose duhet të dorëhiqesh dhe ta kthesh mandatin serish te populli”, ka përfunduar Sherifi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme