Rritja e prodhimit të aciditetit në stomak mund të shkaktojë simptoma të ndryshme, si refluks, ndjesi djegieje, fryrje, gromësima, dispepsi, përzierje dhe shije thartire në gojë.
Arsyet e hierprodhimit të aciditetit në stomak janë të ndryshme, nga mënyra e të ushqyerit, konsumi i alkoolit e deri te trashëgimia. Nëse situata zgjat për një kohë të gjatë e patrajtuar, pasojat mund të jenë dramatike, pasi qelizat e stomakut fillojnë të humbin aftësinë mbrojtëse ndaj aciditetit. Modifikimi i ushqimit është një ndër hapat kryesore në kontrollin e aciditetit të stomakut.
Le te shohim ushqimet qye mund të neutralizojnë lëngjet e stomakut duke e kthyer “ambientin” në më bazik.
Bulmeti
Qumështi është një ndër ushqimet që mund të qetësojë ndjeshëm hiperaciditetin e stomakut, por duhet të jetë pa yndyrë, pasi kjo e fundit mund të shkaktojë të kundërtën. Nënproduktet e qumështit (me yndyrë të reduktuar), si kosi dhe djathi, përbëjnë burim të mirë proteinash dhe kalciumi. Për këtë arsye këshillohet të konsumojmë rreth 3 racione çdo ditë bulmet. 1 racion bulmet = 45gr djathë, 200ml kos dhe 240ml qumësht.
Frutat
Frutat të cilat kanë aciditet vetë, si portokallet, kivi, qitrot, limonat, ananasi, luleshtrydhet, duhet të evitohen. Mollët janë ndër frutat që ndihmojnë ndjeshëm në kontrollin e aciditetit, gjithashtu rrushi, dardhat, bananet, pjepri, boronicat dhe pjeshkët, jane fruta të tolerueshme mjaft mirë. Gjithsesi, konsumi i frutave nuk duhet të kalojë sasinë e nevojshme ditore që është deri në 4-5 racione në ditë. 1 racion frut = përafërsisht 120gr frut
Perimet
Përgjithësisht, perimet janë zgjedhje e mirë për një stomak që prodhon aciditet me shumicë, përveç domateve dhe qepëve, të cilat është mirë të evitohen në rastin në fjale. Zhardhokët si patatet, karotat, rrepat dhe veçanërisht finoku janë mjaft miqësore me stomakun. Lëngu që përftohet nga shtrydhja e lakrës së bardhë, të freskët, eshte një ndër produktet më të përsosura për rigjenerimin e qelizave të stomakut dhe mbrojtjen e tyre nga aciditeti.
Brokoli, mashurkat, lakrat, lulelakra, kungujt, selinoja dhe verdurat, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ushqimit të shëndetshëm e të ekuilibruar dhe këshillohet të konsumohen në një sasi prej 200-300gr/ditë.
Lëngu ideal për stomakun
400gr lakër e bardhë
1 mollë e ëmbël
1 kokërr finok
2 feta të holla xhenxhefil të freskët
Përgatitja
Shtrydhini perimet të gjitha bashkë dhe konsumojeni lëngun 2 herë në ditë; në mëngjes dhe para gjumit.
Drithërat
Përgjithësisht, buka, makaronat, orizi dhe drithërat janë të pranueshme në këtë dietë. Veçanërisht, tërshëra është mjaft e këshillueshme, si dhe drithërat integrale dhe nënproduktet e tyre.
Kujdes: mos i ngarkoni gatimet e tyre me salca të yndyrshme apo djathë të pasur në yndyrë. Këto produkte duhet të përbëjnë burimin kryesor të energjisë që nevojitet në ditë, prandaj përpiquni t’i vendosni në pothuaj të gjitha vaktet tuaja.
Mishi, peshku
Ushqimet në këtë kategori janë të lejueshme, mjafton të mos jenë të pasura në yndyrë, mos të teprohet në sasi dhe të mos gatuhen të skuqura. Preferoni peshkun e kaltër, mishin e bardhë të shpendve – pa lëkurën, vezët e freskëta, fasulet dhe djathin pa yndyrë, si burim kryesor të proteinave. Mishi i kuq këshillohet 1-2 herë në javë, i gatuar në presion me perime dhe erëza, si rozmarina dhe sherebela.
Pijet
Uji është pija më e përshtatshme për organizmin dhe stomakun sensitiv. Disa çajra si kamomili, finoku dhe xhenxhefili rekomandohen për të ulur aciditetin. Pijet që duhet të evitohen janë të gjitha ato që përmbajnë kafeinë, alkool, kakao dhe mente.
Produkte të veçanta
Uthulla e mollës, edhe pse tepër acide vetë, rezulton në përmirësim të ph-së së stomakut. Provoni ta vendosni si përbërës të salcave tuaja për sallatat bashkë me vaj ulliri dhe pak mjaltë.
Probiotikët janë mikroorganizma që luajnë rol tepër ushqyes për aparatin tonë tretës dhe si rrjedhojë janë një armë e fortë kundër dispepsisë që mund të pasojë aciditetin e lartë.
Mëngjesi ideal për të ulur aciditetin e stomakut
1 kupë qumësht pa yndyrë ose qumësht bajamesh
½ kupë tërshërë
10 bajame
½ mollë
Përgatitja
Vini në zjarr të ulët qumështin me tërshërën deri sa ajo të zbutet. (Mos lejoni të ziejë qumështi).
Thërrmoni bajamet dhe i hidhni te qumështi.
Copëtoni mollën dhe e shtoni përsipër.
E konsumoni të ngrohtë.
Papa Françesku kërkon të hetohet nëse në Gazë po kryhet gjen...
Plagoset me armë 32-vjeçari shqiptar në Itali
Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fito...
Hamza në Zvicër: Kosova synon te sjellë ekspertë ndërkombëta...
Haradinaj: Diasporën do ta mbështesim fuqishëm për t’i...
Lucescu vazhdon të merret me Kosovën: Luajtën shumë mirë, po...