Hetimi për CEZ, PD padit Avokaten e Shtetit

19:52 | 13 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të depozitojë një kallëzim penal ndaj Avokates së Shtetit, Alma Hicka.

Sipas një njoftimi për shtyp, kallëzimi penal do të bëhet ditën e martë, pasi Hicka i ka kërkuar sot policisë së Tiranës që të arrestojë Edmond Spahon, kryetar i komisionit hetimor parlamentar të çështjes CEZ.

Sipas PD, kjo “lajthitje” e Avokates së Shtetit ka vetëm një shpjegim: “atë dhe shefin e saj i ka zënë tmerri”.

“Avokatja e Shtetit, një zyrë e rëndësishme që varet drejtpërdrejt nga Edi Rama, ka nxjerrë sot në mesditë një shkresë ku i kërkon policisë së Tiranës të arrestojë në flagrancë zotin Spaho, sepse ky i fundit e ka thirrur të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar për çështjen CEZ. Frika nga hetimi i kësaj çështjeje, përfshirja e saj direkt në këtë aferë, ka bërë që avokatja e Edi Ramës të kryejë veprime të dëshpëruara si ky i sotmi. Hicka ka treguar vazhdimisht se është avokate e aferës, e vjedhjes së shekullit që u është bërë shqiptarëve, me 600 milionë euro, dhe nuk ka treguar asnjë ditë që është avokate e shtetit”, thuhet në njoftimin e PD.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme