Google ADS

Shkarkohet Drejtori i ‘Trafikut Urban’, Shpend Ahmeti sfidon vendimin

13:14 | 13 Shkurt 2017
M. A.

Bordi i Drejtorëve të Ndërrmarjes Publike Komunale “Trafiku Urban”, ka marrë vendim për shkarkim të Kryeshefit Ekzekutiv Halil Mustafa me arsyetimin se ka dështuar ta ushtrojë këtë funksion si duhet.

Ky bord konsideron se Mustafa e ka vështirësuar ushtrimin e veprimtarisë së bordit duke i a ndaluar edhe qasjen fizike në ndërtesën e kësaj ndërmarrjeje.

“Mos menaxhimi i situatës ka sjellë ndërrmarjen para një gjendje ku ndërmarrja shfrytëzohet si pronë private e Kryeshefit Ekzekutiv z. Mustafa andaj edhe mos-ushtrimi i funksionit dhe mungesa e kompetencës në punë e z.Mustafa është e papranueshme për Bordin e Drejtorëve”, thuhet mes tjerash në vendim.

Me rastin e këtij shkarkimi, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërrmarjeje ka vendosur që në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të vendoset përkohësisht Hafir Hamiti.

KALLXO.com ka kontaktuar me tashmë ish-Kryeshefin Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Halil Mustafa i cili e konsideron këtë vendim krejtësisht të pabazë.

“Ky vendim me sa kam parë është tërësisht i pabazë. Shkarkimi do të mund të ishte bërë për shkak të performancës së keqe e jo sepse nuk i’u paskam krijuar kushte për punë. Hapat e mëtutjeshëm ligjor do t’i ndërmarrë pasi ta kem kopjen fizike të vendimit”, tha Mustafa për KALLXO.com.

Ndërmarrja Publike e Trafikut Urban , vitin e kaluar ka fituar një kredi 10 milionë euroshe nga BERZH për të blerë 51 autobusë të ri urban për Kryeqytetin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme