Mustafa: Liberalizimi i vizave, peng i kauzave të ulëta politike

16:38 | 12 Shkurt 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka deklaruar se liberalzimin e vizave për kosovarët po e mbajnë peng deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas kryeministrit Mustafa, qeveria që ai drejton ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja, siç edhe është luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar.

“Krejt çfarë mbetet është që deputetët ta votojnë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila është arritur nga komisioni shtetëror, është konfirmuar nga State Departamenti, nga komisioni tre anëtarësh ndërkombëtar dhe ekspertët vendorë. Për këtë qëllim, kemi krijuar edhe një komision ekspertësh që po e mat territorin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Çdo pasojë si rezultat i regjimit të vizave, tash e tutje është në ndërgjegjen e atyre që e sabotojnë dhe e uzurpojnë këtë të drejtë të qytetarëve”, thekson kryeministri.

Reagimi i kryeministrit Mustafa, vjen pas refuzimit të vizave për dy pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë, Eroll Bilibani tashmë drejtori DokuFest-it, si dhe Agon Maliqit njohës zhvillimit të politikave, nga ambasada gjermane dhe ajo polake, gjë që u ka pamundësuar pjesëmarrjen në disa ngjarje që kanë të bëjnë me angazhimin e tyre profesional.

Postimi i plotë i Mustafës

Të dashur bashkëqytetarë, Jam shumë i shqetësuar që dy qytetarëve tanë, pjesëtarë të njohur të shoqërisë civile, Agon Maliqi dhe Eroll Bilibani, nuk i janë dhënë viza për të marrë pjesë në evente që zhvillohen në shtete të BE-së, e që lidhen me angazhimet e tyre artistike dhe civile. Por, më shumë se me këdo tjetër, jam i mllefosur me përfaqësuesit politikë të Kosovës, me njerëzit që lirinë e lëvizjes së njerëzve tanë po e mbajnë peng të kauzave dhe lojërave të ulëta politike. Që nga dita e parë e punës, Qeveria ka bërë çdo gjë të mundshme që të hiqet regjimi i vizave, duke përmbushur çdo kriter, më së shumti në rajon, duke marrë si rezultat rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Përmbushëm edhe kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi dhënë prova të qarta se këtë luftë do ta vazhdojmë me çdo mjet dhe në çdo ditë të punës sonë. Rezultatet në këtë drejtim po shihen dita e ditës. Andaj, si qytetarë, si përfaqësues politik dhe në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, i bëjë apel 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin përgjegjësinë që ua kanë dhënë qytetarët e Kosovës, t’i lenë anash inatet dhe synimet personale politike e t’i hapin udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve. Është në ndërgjegjen e përfaqësuesve të zgjedhur të këtij vendi që të mos i marrin në qafë të rinjtë, studentët, artistët, shoqërinë civile, njerëzit që kanë nevojë për tretman shëndetësore që s’mund ta gjejnë në Kosovë, familjarët e diasporës tonë, të cilët kanë nevojë të lëvizin duke respektuar në plotni kriteret e BE-së për lëvizjen e lirë. Si përfundim, nuk do të isha aspak kundër që, siç paska propozuar një gazetar kosovar, Brukseli ta bllokojë udhëtimin e përfaqësuesve politikë të Kosovës në BE, duke ua dhënë një të drejtë të till? ? qytetarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme