“Sërish do jem kandidat për kryetar të Drenasit”

13:10 | 11 Shkurt 2017
Arbresh.info

Ka vetëm pak muaj që ka marr postin e të parit të Drenasit, por ende flet me energjinë e kohës së fushatës.

Ramiz Lladrovci në një intervistë për Periksopi.com thotë se në Drenas nuk fitoi vetëm ai, por edhe PDK-ja, e madje sipas tij, vota mori edhe Kadri Veseli.

Nuk është penduar që la postin diplomatik, si i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri, ndërsa tani është kthyer aktiv në PDK, parti në të cilën ishte dikur madje edhe deputetët nga radhët e saj.

Lladrovci pranon se sërish do të jetë kandidat për kryetar të Drenasit, në zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të këtij viti.

Është i bindur që do ta ketë mbështetjen e Qeverisë në projektet e Komunës, e flet edhe për premtimin e Behgjet Pacollit për ndërtimin e fabrikës së kërpudhave. Thotë se kjo e fundit ka mbetur vetëm tabelë.

Ai pranon se numri i të papunëve është shumë i madh në këtë komunë dhe thotë se askujt nuk i ka premtuar për ndërtimin e ndonjë xhamie.

A je penduar që e le postin diplomatik për një mandat një vjeçar në Drenas?

Lladrovci: Në asnjë rast, jam shumë i bindur se veprimi im ishte i drejtë. Këtë e thanë qytetarët gjatë zgjedhjeve, ashtu siç kishte nevojë infrastruktura e lamitë tjera që i sjellin të mira qytetarëve dhe komunës.

Pse mendon se të zgjodhën qytetarët?

Lladrovci: Sigurisht se janë shumë faktorë, por, bastioni i PDK-së rikonfirmoi fuqinë e vet, kohezionin dhe vendosmërinë për ta ndryshuar komunën e Drenasit. Qytetari ka mbamendje dhe kulturë demokratike, këtë e dëshmoi me zgjedhje. Pritjet e tij i ka vendosur te subjekti politik por edhe kandidati që e mban fjalën.

A do të kandidosh edhe zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se mbahen këtë vit?

Lladrovci: Sigurisht, edhe kur kam kandiduar, kam proklamuar projektet e kësaj pjese të mbetur të mandatit por edhe për mandatin e ardhshëm të plotë.

A ke fituar ju personalisht në Drenas, apo PDK-ja?

Lladrovci: Të gjithë bashkë, Kryetari Veseli, dega e PDK-së dhe aktivistët e palodhshëm. Sigurisht ky kontribut yni i përbashkët e rikonfirmoi bastionin e PDK-së, vendosmëria e sinqeriteti ynë përball nevojave të qytetarëve dhe përvoja ime me projektet konkrete të cilat morën vlerësim nga qytetari.

Cilat premtime që i ke bërë në fushatë janë realizuar, e në cilat po ke vështirësi (nëse ka vështirësi, të cilit lloj janë)?

Lladrovci: Sipas planit të parashtruar para elektoratit, jam duke i zbatuar të gjitha premtimet. Këto mund t’i vëreni në çdo veprim timin ligjor në komunë.

A keni mbështetjen e Qeverisë në realizimin e projekteve?

Lladrovci: Po, e kam mbështetjen nga të gjitha institucionet qendrore, dhe në emër të qytetarëve i falënderoj të gjitha sepse, komuna jonë, ka nevoja të shumta dhe na duhet po ashtu, mirëkuptimi i tyre për t’i realizuar.

Në çka beson konkretisht që do ju përkrah Qeveria, a do tentoni që të rritet buxheti i Komunës që drejtoni?

Lladrovci: Sigurisht, disa institucione qendrore tashmë e kanë dëshmuar përkrahjen, përkrahja është duke ardhur nga Qeveria. Presim se do të tërheqim edhe përkrahje nga drejtimet tjera, jo vetëm për infrastrukturë por edhe për arsim, shëndetësi, bujqësi, rini, kulturë, sport.

A ka të interesuar për investime në Drenas?

Lladrovci: Po, ka interesim, jemi duke finalizuar projektin e Qendrës së re të biznesit. Sigurisht mirëpresim çdo interesim edhe për fushat tjera, ne jemi të gatshëm të ofrojmë maksimumin si komunë që të bëhen investime që ndikojnë në uljen e papunësisë.

Çfarë po ndodh me fabrikën e kërpudhave të premtuar nga Behgjet Pacolli në kohë fushate?

Lladrovci: Çdo investitor është i mirëseardhur, duke vepruar në pajtim me ligjin. Sigurisht, kjo vlen edhe për Fabrikën e kërpudhave që deri më tani nuk ka asgjë më shumë se një tabelë.

A ka fabrika tjera që ka mundësi të hapen në Drenas?

Lladrovci: Po, ka mundësi, në komunën tonë ka vend jo vetëm për shërbime e tregti por edhe prodhim, mundësitë më të mira janë ato që ofron Qendra e re e biznesit por edhe në bujqësi duke qenë zonë me interes për njohësit e bujqësisë dhe ekspertët e komunës.

Një nga rastet më të përfolura kohën e fundit është falsifikimi i notave nga një mësues në shkollën e fshatit Tërdec. Ju keni premtuar se do të veproni karshi këtij skandali. Shkarkuat drejtorin e Arsimit, Sadik Tahiraj, nga kjo pozitë por e transferuat atë në një pozitë tjetër në komunë. A është kjo masa e duhur dhe e vetme që ju keni ndërmarrë ndaj kësaj çështjeje?

Lladrovci: Mirëpres veprimin e institucioneve qendrore rreth këtij rasti, nëse dikush mendon apo dyshon se nuk e kam zbatuar ligjin. Mendoj se ato që na i lejon ligji i kemi ndërmarrë. Ish drejtori është sistemuar në vendin e vet të punës nga ka ardhur si drejtor politik, konsideroj se risistemimi i tij është në pajtim me ligjin.

A i keni premtuar ndokujt ndërtimin e një xhamie?

Lladrovci: Jo, nuk kam premtuar se do të ndërtoj xhami, mandati im është të ndërtoj infrastrukturë dhe ngris cilësinë e jetës së qytetarëve pa dallim të përkatësisë fetare.

Por, sigurisht se jam shumë i interesuar që objektet fetare të bëhen sipas nevojës së qytetarëve, miratimin e tyre dhe në pajtim me ligjin, duke e ditur origjinën e investimit dhe duke marrë parasysh prioritetet e qytetarëve.

Sa të papunë janë në komunën që drejton, çfarë po bëni që të ulet numri i tyre?

Lladrovci: Numri i të papunëve për fat të keq, është i madh, mendoj se ky numër është më i madh por qytetarët nuk paraqiten në entin e punësimit.

Është folur për punësimin e disa grave në komunë. E keni bërë për shkak të gjinisë apo?

Lladrovci: Po, kam folur për barazinë gjinore dhe avancimin e tyre si menaxhere. Janë pesë drejtore të reja, me edukim adekuat dhe përvojë pozitive nga profili i tyre. Ato janë në ato pozita për shkak të aftësive të tyre, gatishmërisë për marrjen e përgjegjësisë nga ana e tyre por edhe gatishmërinë për të hapur mundësi të reja për femrat duke përfaqësuar interesin e të gjithë qytetarëve.

A jeni kthyer aktiv në PDK?

Lladrovci: Po, jam në bashkëpunim të vazhdueshëm me degën e PDK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme