Duma: Çfarë do ndodhë në protestën e 18 Shkurtit, dhe kë zgjedh mes Llalla-Lu

11:56 | 11 Shkurt 2017
Arbresh.info

Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD gjykon se opozita dhe qytetarët shqiptarë po bëjnë betejë për të përballuar një nga momentet më të këqija të historisë së zgjedhjeve në Shqipëri

Në një intervistë për gazetën Mapo, Grida Duma ka folur protestën e 18 Shkurtit, gjendjen e opozitës përpara zgjedhjeve si dhe aktualitetin politik lidhur me konfliktin mes ambasadorit të SHBA Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Znj. Duma katër muaj nga zgjedhjet debati kryesor publik duket se është mes dy partive të mazhorancës, ndërsa opozita, pesha dhe çfarë ajo thotë renditet më pas. Vetëm duket apo është kështu?

Pikërisht sot më shumë se asnjëherë fjala e opozitës është e para. Duhet t’ju korrigjoj, mes dy partive në pushtet nuk ka debat, ka çjerrje për sinore pushteti dhe përfitimesh. E gjithë kjo çjerrje mes tyre nxjerr çdo ditë të vërtetat që opozita ka vite që i thotë me fakte dhe prova të dokumentuara. Çfarë po dëgjojnë shqiptarët në këtë maskaradë akuzash, ku një ministër akuzon kryeministrin, ku kryetari i LSI-së gjoja ribalancon për të ngritur presionin ndaj PS dhe jep mesazhe “nervash të çelikta”, është dalja në sipërfaqe e të vërtetave të opozitës. Sot më shumë se kurrë fjala e opozitës po buçet si e vërtetë jo e denoncuar, por e provuar. Opozita madje është kryefjala, gjithçka që ju sot paraqisni në lajmet e gazetat, nis me lajme kryesore të zbulimit të emrave të kriminalizimit të politikës. Gjithçka që sot po tregon fytyrën e vërtetë të korrupsionit dhe krimit, veç denoncimeve nga PD, është rezultat i vetëm i fitores së opozitës me ligjin e dekriminalizimit. Por akti dhe forca dhe përgjigja e opozitës ndaj rrënimit dhe dhunës që po pësojnë shqiptarët, do të jetë 18 shkurti.

Protesta e 18 shkurtit është vetëm fillimi i një vendimi të madh. Protesta e 18 shkurtit do të jetë jo marrja pjesë në atë që ju quani “debat”, që në fakt është një tjetër maskaradë mediatike, por lëvizja qytetare që merr përpara ndryshimin e të ardhmes së shqiptarëve.

Fjala vjen në përplasjen mes prokurorit dhe ambasadorit amerikan opozita është pa qëndrim?

Qëndrimi me kritere më shtetformuese është qëndrimi i Partisë Demokratike. Qëndrimi më i përgjegjshëm dhe më afatgjatë është pikërisht i Partisë Demokratike. Duke theksuar që çdo gjë duhet të zgjidhet, provohet dhe vijohet vetëm nëpërmjet institucioneve, vumë theksin te deklarata e ambasadorit Lu, që këto zgjedhje janë në rrezik. Në këtë vend ka filluar të quhet qëndrim çdo lajm apo reagim i papërgjegjshëm që shkakton dëme të pakthyeshme ndaj vendit. U quajt qëndrim edhe ai që kryeministri i vendit bëri kur blasfemoi mbi Presidentin Trump, pavarësisht se kjo ka vënë në rrezik marrëdhëniet me SHBA. Dëmi më i madh është që sot quhet debat mes partish ajo që në të vërtetë është shpërthimi i pusetës së korrupsionit për hesape të luftës së brendshme, quhet qëndrim të shash kandidatin për president të SHBA, dhe nuk lexohet si qëndrim, reagimi në bazë institucionale dhe prej shtetari të opozitës. Duhet medoemos ndaluar ky keqinterpretim ku e ushqejmë popullin me lajme negative duke e lënë të ushqehet me zbrazëtirën e varfërisë që prodhojnë dëmet e një qeverie që ushqen me ekrane dhe që të ngop me frikën që ka edhe me keq ndaj të heshtim. Po qeveriset me lajmokraci, se asgjë tjetër nuk është më as produkt, as të ardhura, as rezultat për jetën e shqiptarëve.

Këmbëngul dhe njëherë te qasja e PD-së për zgjedhjet. A po sillet ajo si para përballjeve të tjera elektorale; a po krijon atmosferë te anëtarësia, organizim, dhe mbi të gjitha frymë e besim për të fituar më 18 qershor…

Partia Demokratike nuk po sillet, po vepron në bazë dhe kudo për të angazhuar të gjitha strukturat në një betejë që nuk pritet të ketë asnjë rregull loje. Ajo çka duhet të kuptojnë qytetarët është që opozita do duhet të përballet sot me krimin në pushtet me paratë e krimit në veprim për të blerë votën me frikësimin e votuesit, me marrjen e kartave të identitetit, me listat e bizneseve për gjobitje, me dhunën deri me burgosje të shtresës më të varfër të shoqërisë. Me policinë që bashkëpunon me krimin për paratë e drogës. Sigurisht ju nuk shihni dot nëpër ekranet e “blera” betejën që ka opozita dhe qytetarët shqiptarë për të përballuar një nga momentet më të këqija të historisë së zgjedhjeve në Shqipëri.

Tashmë opozita nuk vepron vetëm me strukturat e saj, ajo që do të shihni në shesh në 18 shkurt do të jetë pjesëmarrja e njerëzve që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e partisë demokratike, por janë pjesë e një qëllimi të përbashkët, shkuarjes në zgjedhje për një qeveri tjetër.

Ka zëra publikë që mbështesin bojkotin e zgjedhjeve nga ana e opozitës për shkak se siç thonë ata, mazhoranca është e lidhur me krimin, ka kapur institucione të pavarura dhe mediat, saqë duhet lënë vetëm përballë shqiptarëve dhe që PD-ja të mos bëhet fasadë demokratike. Ju si mendoni?

Partia Demokratike do të bëjë betejën e vet politike çdo moment dhe me çdo mjet. Do të luftojë për të ndryshuar çdo mekanizëm që mbron zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Do të luftojë t’iu japë shqiptarëve të drejtën e vërtetë për të zgjedhur dhe do të mbrojë vullnetin e tyre. Nuk ka asnjë tërheqje nga kjo betejë. Të gjitha ato që përmendim janë të vërteta dhe qëndrojnë, por nuk ka asnjë mënyrë tjetër veç veprimit për t’i mundur.

A duhet të kishim sot një program qeverisës të PD-së dhe një ekip të shpallur apo janë në plan për t’u bërë?

Programi qeverisës i PD është plotësisht i definuar. Disa nga elementet kyçe të tij si kolona janë deklaruar nga Basha në takimet me grupe interesi dhe në takimet me njerëzit në mbarë vendin.

Të gjitha departamentet në Partinë Demokratike që mbulojnë çdo fushë të zhvillimit të vendit kanë paraqitur shpalosjen e plotë të problematikave dhe alternativave për ofertën tonë qeverisëse. Sigurisht që qytetarët do ta dëgjojnë të shpalosur në detaje shumë më qartë nga e gjithë trupa politike përgjatë muajve në vijim kur beteja për t’u përballur me rezultatet do jetë e detyrueshme për qeverinë, e cila deri sot fshihet me urdhër të kryeministrit. Është me vend të theksojmë që përgjatë këtyre katër viteve qeverisje u aplikua rregulli që asnjë ministër nuk është i autorizuar të flasë pa leje, për rrjedhojë përfundoi që debati mbi zhvillimin të mos bëhej kurrë në publik. Publiku mund të kërkojë në memorie sa herë i ka parë ministrat të japin llogari dhe të kuptojë që në katër vite ka pasur një heshtje të dirigjuar për mospërballje me opozitën. Programi nuk është monolog, pjesë e tij është përplasja për alternativat dhe transparenca ku kanë shkuar financimet.

Për pak muaj, Basha bën 4 vjet në krye të PD-së. Ai nuk ka mundur ende që të mbyllë zgjedhjet në degët e PD-së, pa folur më tej për rrëmujën e organizimit në struktura. Megjithatë disa figura të konsoliduara në parti nuk e shohin problem thelbësor këtë situatë duke shtuar se kryesorja për një parti është fryma.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë i lipset PD-së për të siguruar një mbështetje të gjerë te njerëzit?

Në këto katër vite strukturat e partisë kanë kaluar procese pas procesesh të zgjedhjeve, analizës dhe përballimit të problematikës. Për ata që nuk merren me organizime strukturash, qytetarët e papërfshirë në aktivizëm ndoshta duhet thënë që partia është një organizëm që duhet të jetë në lëvizje edhe nga pikëpamja organizative, kjo e mban atë të gjallë.

Partia Demokratike si partia opozitare më e madhe në vend, ka të domosdoshme dhe të paevitueshme përfaqësimin në zgjedhje me një trupë politike që janë personalitete që gëzojnë reputacionin pozitiv dhe kanë kredencialet e duhura sa në shoqëri dhe në parti.

Lulzim Basha ka hapur garën online për të mbledhur kandidaturat për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë në fund të procesit pasi të kenë kaluar në filtrin e komisionit të posaçëm të verifikimit të figurës, është sërish kryetari që vendos. A e zgjidh ky proces mekanizmin e demokracisë brenda një partie?

Pushteti vertikal njihet në çdo parti, madje në çdo organizatë me natyrë politike, pushteti dhe përgjegjësia politike do të tentojë gjithnjë drejt kreut. Fakti që PD do të shqyrtojë të gjitha të dhënat dhe nga propozimet online veçse e shton mbështetjen e vendimeve të marra në një rrafsh më të gjerë të publikut. Duke lënë mënjanë spekulimet që bëhen me kush dhe si mund të propozojë online, sistemi i filtrimit së pari, bëhet nga sistemi ynë i brendshëm i informatikës, i cili propozimet që vijnë me emra dhe numra identifikimi artificialë apo shumë elemente të tjera që vërtetojnë spekulimin i filtron së brendshmi automatikisht. Më pas pastërtia e figurave është detyrim tashmë i mbarë politikës shqiptare pikërisht sepse PD e bëri të mundur këtë. Ndërsa përzgjedhja përfundimtare e tyre është një rezultante e shumë faktorëve. Nga ana tjetër, që nga kjo faqe online marrim edhe të dhëna shtesë tregon pikërisht që vendimet po merren mbi të dhëna shumë më të gjera.

Është e treta herë që kërkohet shtyrja e veprimtarisë së komisionit për reformën zgjedhore, ndërsa deri më tash duhet thënë se nuk është miratuar asnjë vendim i rëndësishëm. Pjesë e saj është edhe kërkesa e PD-së për votimin dhe numërimin elektronik. Nisur nga eksperienca e mëparshme, një kërkesë e tillë vetëm pak muaj para zgjedhjeve ngjan si utopike. Në këndvështrimin tuaj sa e mundur është kjo kërkesë dhe a e zgjidh ajo skemën e manipulimit të zgjedhjeve?

Aspak utopike, ka shumë vende që e kërkojnë këtë, por në diferencë madje me shumë vende të tjera votimi elektronik në Shqipëri është plotësisht i mundshëm, sepse ne disponojmë të gjitha të dhënat biometrike mbi votuesin. Kjo sepse duke qenë se i implementuam sistemet e informacionit mbi qytetarët më vonë edhe se disa vende të BE ne kemi përfituar nga koha dhe standardet e reja teknologjike. Ishin pikërisht këto standarde të reja të teknologjisë së informacionit me të cilat përmbushëm kriteret për liberalizimin e vizave dhe që sot mundet lehtësisht të shërbejnë për votimin elektronik.

Nga ana tjetër ne jemi më se të qartë që problemet me zgjedhjet fillojnë jashtë qendrës së votimit. Madje duhet bërë e ditur për publikun që disa nga problemet më të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri nuk figurojnë ende në metodat që përdorin ndërkombëtarët për të monitoruar zgjedhjet. Kështu intimidimi i votuesit jashtë qendrës së votimit, manipulimi i votuesit nëpër banesa, mesazhet kërcënuese për humbjen e vendit të punës, zhvendosja e votuesve nga një zonë në tjetrën duke shkelur dhe kriteret ligjore e të quajturit banorë të një qyteti tjetër, janë probleme madhore. Sigurisht votimi elektronik zgjidh vetëm një pjesë, atë të manipulimit në qendrën e votimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme