Maqedoni, regjistrim falas të pronës në 31 komuna

14:03 | 10 Shkurt 2017
Arbresh.info

Pronarët e parcelave në 31 komuna kadastrale fitojnë mundësinë falas të marrin fletëpronësi. Bëhet fjalë për komuna kadastrale me mbi 20 për qind të drejta të pakonfirmuara të pronësisë, të përfshira me Programin vjetor të Qeverisë për vitin 2017 për azhurnimin e të dhënave sipas detyrës zyrtare, përcjell Telegrafi Maqedoni nga AIM.

 

Tridhjetë e një komunat kadastrale të parapara për këtë vit, janë në kompetencë të sektorëve kadastral në Veles, Gostivar, Kumanovë, Makedonski Brod, Shën Nikollë dhe Shtip.

 

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe personave juridikë të cilët posedojnë pronë në komunat kadastrale të përfshira me programin të parashtrojnë kërkesë deri te njësia kompetente për kadastra ku gjendet patundshmëria e tyre dhe t`i parashtrojnë tërë dokumentet me të cilat disponojnë, si dhe aktvendime, marrëveshje, akte të organeve shtetërore, vendime të trashëguara, fletëpronsi me ç`ka Kadastra do të bëjë regjistrim falas të të drejtave të pronës”, tha sot në konferencë për media drejtori i Kadastrës Sllavçe Tërpevski.

 

Njësia për kadastra të patundshmërive në Veles do të bëjë regjistrim falas të të drejtës së pronës në komunat kadastrale Garbovnik dhe Oraovdol, ndërsa njësia e Gostivarit në Jegunovc të Poshtme, Tanushe, Nistrovë, Ribnicë, Grekaj dhe Nivishtë, Sence, Zhuzhnje, Bogdevë, Krakornicë, Brodec, Volkovi e Epërme, Kunovë dhe Dobri Doll. Në kompetencë të njësisë të Kumanovës regjistrim falas është paraparë në Ramno, Bukovlane, Drenak dhe Maglence, në njësinë e Makedonski Brodit janë përfshirë Zërkle, Kosovë, Topolnicë dhe Samokovm në Shën Nikollë janë komunat kadastrale Beriklija dhe Kishno, si dhe Shasharvalia, Vërteshka dhe Kalauzia në sekotirn e Shtipit.

 

Në kadastrën elektronike gjithsej janë regjistruar 4.047.000 parcela kadastrale. Regjistrim falas të të drejtave të pronës, në pajtim me Programin, Agjencia e Kadastrave të Patundshmërisë zbaton nga viti 2014 pas ndryshimeve të Ligjit të Kadastrave të Patundshmërive. Janë përfshirë 420.000 parcela kadastrale në rajonet rurale, për të cilat nuk është parashtruar kërkesë për regjistrim deri në përfundimin e afatit në vitin 2012, deri kur gjithashtu falas është bërë matje dhe jepen fletëpronësi.

 

Siç informon Tërpevski, në vitit 2014, 2015 dhe 2016, rreth 100.000 parcela kadastrale (60.000 me tokë bujqësore dhe 40.000 me tokë ndërtimore) janë dhënë falas dhe për ato është fituar e drejta e pronësisë. Vitin e kaluar me masën për regjistrim falas të pronësisë 4.000 qytetarë dhe persona juridik kanë marrë fletëpronësi.

 

Kursimi i përgjithshëm i qytetarëve dhe personave juridikë nga realizimi i deritanishëm i këtij projekti, në bazë të elaboratit gjeodezik arrin 6,3 milionë euro, tha Tërpevski, duke theksuar se qëllimi strategjik i Kadastrës është që çdo parcelë kadastrale në Maqedoni të jetë me të drejta të konfirmuara pronësore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme