Nuk ka viza as këtë vit

09:18 | 10 Shkurt 2017
Arbresh.info

Qytetarët e Kosovës as gjatë këtij viti nuk mund të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Pasi që autoritetet e Kosovës nuk i kanë përmbushur kërkesat që dalin nga udhërrëfyesi për vizat. Kushti që ua mundëson qytetarëve liberalizimin nëpër vendet e Bashkimit Evropian është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Madje ratifikimi, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji në mënyrë që qytetarët të pajisen me viza. Por, ky mesazh i Mustafës nuk iu ka bërë përshtypje partive opozitare të cilat mbeten të njëjtat karshi Demarkacionit, shkruan “Zëri”.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë gjasat për lëvizje të lirë në zonën Schengen ekzistojnë vetëm nëse Demarkacioni kalon në kuvend këtë muaj.

“Ne kemi gjasa për liberalizim nëse Demarkacioni kalon këtë muaj në Kuvend”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.

Sipas tij, ende ekziston shpresa për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi brenda muajit shkurt.

“Shpresa vdes e fundit”, është shprehur Gecaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme