Google ADS

Greqia i hedh “benzinë zjarrit”: Kemi pilotë më të mirë se turqit!

22:20 | 9 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Greqia ka blerë disa avionë F-35 të pakapshëm nga radari, si kundërpërgjigje ndaj Turqisë.

Kreu i Forcave Ajrore Helene, Christos Christodoulou ka lëshuar një deklaratë që nuk do t’i pëlqejë aspak Ankarasë.

Ai tha se  “pilotët tanë janë thjeshtë më të mirë se Turqit.

Christodoulou po i përgjigjej një pyetje nëse ai i frikësohej një ndryshimi në balancën e forcës ushtarake në Egje. “Kurrë nuk do të ketë ‘krahë të kuq’ (avionë turq) në ajër pa një palë krahë blu (avionë grekë) që iu zënë rrugën,” tha ai.

“Cilësia nuk matet vetëm me mjete. Ajo gjykohet duke llogaritur edhe faktorin njeri…Dhe kur vjen puna tek burimet njerëzore ne jemi gjithmonë më mirë,” tha ai, i cituar nga “Protothema”.

Duke komentuar lajmin e mëhershëm për përmirësimin e flotës së avionëve luftarakë, Christodoulou tha se ishte një lëvizje e vonuar e Greqisë, “megjithëse është më mirë vonë se kurrë.”

Greqia njoftoi më herët se kishte nisur procedurat për blerjen e një skuadroni prej 12-20 avionësh F-35, të pakapshëm nga radari. Kjo është shikuar si një kundërpërgjigje ndaj Turqisë, e cila pas vitit 2020 do të marrë në dorëzim 100 avionë të tillë.

Tensioni në Egje vijon të mbetët i lartë me anijet dhe avionët e dy shteteve që akuzohen shpesh se kalojnë në territoret e tjetrit.

Së fundmi Greqia dhe Turqia janë përplasur për ishujt Imia, dhe Karadak.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme