Google ADS

Marrëdhëniet Rusi-Shqipëri janë me probleme

21:23 | 9 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Në një intervistë të dhënë për Ora News për Ditën e Diplomatit e cila është edhe një festë për diplomacinë ruse, ambasadori rus në Tiranë, Alexandër Karpushin, ka deklaruar se fatkeqësisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë kanë ende shumë probleme.

Problem kryesor vlerësohet mungesa e një dialogu të mirëfilltë për trajtimin e çështjeve të ndjeshme për të dyja palët. Sa i përket tensionimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, sipas Karpushin konflikti u shmang nga Serbia e cila vendosi të kthente trenin mbrapsht.

Intervista me ambasadorin e Rusisë

Data 10 shkurt është një ditë mjaft e rëndësishme për diplomatët rusë, duke qënë se në Rusi festohet si Dita e Diplomatit. Z. Ambasador, çfarë domethënie ka kjo për diplomacinë ruse?

Karpushin: Po, keni të drejtë. Më 10 shkurt do ta kremtojmë për të pesëmbëdhjetën herë festën e profesionit tonë, Ditën e Diplomatit, vetë zyrtarizimi i së cilës në 2002 tregon se sa rëndësi i kushton diplomacisë udhëheqja e Rusisë. Historia e diplomacisë ruse ka filluar qindra vjet më parë dhe gjatë kësaj kohe është fituar një përvojë e madhe, ndërsa brezave të rinjë të diplomatëve u është lënë një trashëgimi mjaft e pasur.

Fillimet e shërbimit diplomatik në Rusi datojnë që nga themelimi në vitin 1549 i dikasterit të parë shtetëror të politikës së jashtme, Posolskij Prikaz, i cili më vonë u shndërrua në Kolegjin e Punëve të Jashtme, dhe më pas në vitin 1802, domethënë para plot 215 vitesh, me vendim të Perandorit Aleksandri I u krijua Ministria e Punëve të Jashtme.

Sot për sot Ministria kryen një volum të madh pune, duke mbajtur marrëdhënie diplomatike me 190 vende të botës. Në selinë qendrore dhe në përfaqësitë ruse jashtë vendit punojnë më shumë se 12 mijë njerëz. Diplomacia ruse luan një rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e shumë problemeve botërore. Kohët e fundit rëndësia e saj vazhdon të rritet, sidomos në kushtet e tensionimit të situatës ndërkombëtare. Sfida numër një është rreziku global i terrorizmit, i cili është kthyer në një lloj sistemi.

Pa dyshim, fakti që bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka mundur të krijojë një front të vetëm gjithëpërfshirës kundër terrorizmit na ngjall shqetësim të madh dhe keqardhje. Për krijimin e këtij fronti ka bërë thirrje vetë Presidenti i Rusisë Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 2015.

Janë bërë përpjekje për të krijuar një front të tillë, janë shprehur dhe propozime të shumta në kuadër të dialogut midis Ministrit Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit Keri, por çdo herë kanë hasur në pengesa. Problemi kryesor, sipas ministrit tonë, është se ka dy tendenca kontradiktore: nga njëra anë po ecën procesi i formimit të një bote policentrike, por nga ana tjetër vendet perëndimore vazhdojnë të kapen pas konceptit të vjetëruar të njëpolaritetit. Ndërsa imponimi i dhunshëm nga këto vende i parimeve të demokracisë dhe të të ashtuquajturave “vlera liberale” vazhdon të krijojë probleme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Le të mos harrojmë se ka qenë pikërisht eksporti i vlerave, ose e thënë më saktë të pseudovlerave, ai që ka shkaktuar krizën në Ukrainë dhe para asaj edhe të ashtuquajturën “pranverë arabe”, pasojat e të cilave i dimë të gjithë shumë mirë.

Qëndrimi i Rusisë në këtë kontekst është i njohur. Ne nuk synojmë të bëjmë asnjë lloj eksporti dhe asnjë lloj imponimi. Zgjedhja jonë është pragmatizmi i mbështetur mbi interesat bazë të vendit tonë. Synojmë të kemi qëndrime të përbashkëta me ato vende, të cilat janë të gatshme të bashkëpunojnë me ne në bazë të barazisë, përfitimeve të ndërsjella, respektimit të interesave të njeri-tjetrit dhe sigurimit të balancës së këtyre interesave.

Në bazë të këtij qëndrimi Rusia punon në organizata ndërkombëtare dhe ndërton marrëdhënie me partnerët e saj në të gjithë botën. Dhe vetëm në bazë të këtij qëndrimi do të dialogojmë me SHBA-të, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët tanë shqiptarë. Përpjekjet për t’i imponuar Rusisë vlerat që nuk i përshtaten dhe për të cenuar interesat e saj, kanë qenë gjithmonë dhe do të mbeten të papranueshme.

Bashkë kemi ndjekur vrasjen e tmerrshme të ambasadorit rus në Turqi, të ndjerit Andrej Karlov. Si u prit kjo ngjarje në Rusi? Cili është komenti juaj për këtë rast?

Karpushin: Është një vrasje e poshtër, një tragjedi e tmerrshme dhe një humbje shumë e madhe për shërbimin diplomatik rus. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjithë miqtë tanë shqiptarë, të cilët nuk qëndruan indiferentë ndaj kësaj humbjeje. Unë personalisht kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe me fjalët e mbështetjes. Gjithashtu, kemi përcjellë në Moskë letrat e ngushëllimit nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Drejtuesit e Rusisë janë të bindur se qëllimi kryesor i atyre që e kanë menduar dhe e kanë kryer këtë akt barbar ishte prishja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ruso-turke dhe minimi i luftës efektive ndaj terrorizmit në Siri. Megjithatë, siç ju jeni në dijeni, bashkëpunimi midis Moskës dhe Ankarasë vazhdon të përmirësohet, dhe jo vetëm në zgjidhjen e konfliktit sirian, por edhe në një sërë çështjesh të tjera bilaterale, ku një rëndësi të veçantë ka zbatimi i projektit të gazit “Rrjedha Turke” dhe disa nismave të tjera në energji bërthamore, tregti dhe turizëm.

A keni patur mbrojtje nga qeveria shqiptare pas rastit tragjik të regjistruar në Turqi?

Karpushin: Dëshiroj të theksoj se pala shqiptare reagoi si duhet ndaj tensionimit të situatës. Pra, janë shtuar masat e ruajtjes fizike të Ambasadës dhe të rezidencës së Ambasadorit, janë vendosur gjithashtu pika vrojtimi shtesë. Në këtë punë janë angazhuar njësitë speciale të policisë. Me këtë rast do doja të falënderoja edhe një herë të gjithë ata që na kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të na ndihmojnë.

Përveç kësaj, bashkë me kompanitë e sigurisë dhe institucionet kompetente shqiptare kemi arritur disa marrëveshje të tjera, për të cilat nuk mund t’ju tregoj për arsye të kuptueshme.

Si e ka parë Moska tensionimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Karpushin: Edhe Ministri Lavrov, edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë pranë OSBE-së z. Lukasheviç kanë bërë komente shumë të qarta lidhur me këtë çështje. Sigurisht që Rusia është e shqetësuar nga rritja e tensioneve në rajon, por përgjegjësia kryesore për normalizimin e dialogut Beograd-Prishtinë i takon jo Moskës, por Brukselit, i cili e ka marrë përsipër rolin ndërmjetësues sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të datës 9 shtator 2010.

Po të flasim konkretisht për rastin e trenit Beograd-Mitrovicë, duhet nënvizuar se një skenar i pakëndshëm u shmang pikërisht në saj të vendimit të autoriteteve serbe për ta kthyer trenin mbrapsht në kryeqytet. Po të mos ishte bërë kjo, përshkallëzimi i konfliktit ishte tejet i mundur, për shkak se Prishtina në atë moment i kishte vendosur në veri të Kosovës njësitë speciale të policisë të pajisura me armatime të rënda. Është e rëndësishme të nënvizoj se këto veprime janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura me ndërmjetësim të BE-së mbi moslejimin e strukturave kosovare të sigurisë në rajonet me popullsi serbe pa lejen e prezencës ndërkombëtare ushtarake të krijuar në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Media të shumta shqiptare kanë raportuar se ishte Ministri Lavrov që gjoja e ka kërkuar mospranimin e forcave shqiptare në veri të Kosovës, kur realisht Ministri rus thjesht ka rikujtuar ato marrëveshje, të cilat janë miratuar prej kohësh dhe zbatimi i të cilave duhet kontrolluar nga Brukseli. Meqë ra fjala, një nga këto marrëveshje kërkon moscenimin e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka bërë të ditur se do të mbështesë kthimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë. A do të mbajë Rusia një qëndrim për këtë çështje?

Karpushin: Jam i mendimit se nuk është momenti më i përshtatshëm për të diskutuar mbi krijimin e ushtrisë kosovare. Dialogu Beograd-Prishtinë, le të themi, po “xhiron në vend”, situata është e tensionuar dhe kërkon që palët të ruajnë gjakëftohtësi dhe maturi. Në këto rrethana deklarata si kjo duken joproduktive dhe pak gjasa ka t’i quajmë të dobishme.

Ndërsa më kryesorja është se Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve duket se e ka harruar rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila nuk lejon as krijimin e Forcave ekzistuese të Sigurisë së Kosovës, të mos flasim pastaj për ushtri. Po, ky dokument me të vërtetë parashikon veprimtarinë e forcave të sigurisë në Kosovë, por vetëm të forcave ndërkombëtare. Dhe këto të fundit ishin krijuar në fakt me vendim të Këshillit të Sigurimit. Dhe vetëm Këshilli i Sigurimit mund të miratojë krijimin e ndonjë force të re të këtij lloji.

Le të mos harrojmë gjithashtu se një nga qëllimet e rezolutës ka qenë demilitarizimi i Kosovës, dhe aspak e kunderta. Për sa i përket qasjes së Rusisë në lidhje me këtë çështje, duhet theksuar se ushtria është një nga atributet e domosdoshme të një shteti të pavarur, ndërsa cili është qëndrimi i Rusisë për statusin e Kosovës ju besoj se e dini.

Kalojmë tani në arenën ndërkombëtare. ShBA ka një president të ri, i cili është Donald Trump. Kemi patur një bisedë telefonike mes tij dhe Presidentit rus Putin. A është i mundur bashkëpunimi i ngushtë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara?

Karpushin: Jam i sigurt që bashkëpunimi i ngushtë midis Rusisë dhe SHBA-ve nuk është vetëm i mundur, por edhe i nevojshëm jo vetëm për këto dy vende konkrete, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, para së gjithash në interes të luftës ndaj sfidave të përbashkëta të gjithë njerëzimit, nga të cilat më i rrezikshmi është terrorizmi ndërkombëtar.

Duhet të pranojmë se gjatë presidencës së Obamës marrëdhëniet Rusi-SHBA janë përkeqësuar ndjeshëm, aq më tepër se deri në ditën e fundit të qëndrimit të tyre në pushtet demokratët vazhdonin shkatërrimin e tyre të qëllimshëm. Mjafton ta përmend dëbimin nga SHBA-të të 35 diplomatëve rusë, në prag të Vitit të Ri! Veprim ky që u bë pa asnjë arsye të fortë. Kuptohet se shpresojmë që me ardhjen e një presidenti të ri kriza në raportet tona dypalëshe me Shtetet e Bashkuara do të marrë fund. Deklaratat e Donald Trumpit gjatë fushatës elektorale dhe pas zgjedhjes së tij si president, se ka dëshirë të normalizojë marrëdhëniet me Rusinë dhe me homologun rus Vladimir Putin na japin shpresë se në dialogun midis Moskës dhe Uashingtonit do të ketë progres.

Çfarë mund të na thoni për negociatat e paqes mes qeverisë siriane dhe opozitës që kundërshton presidentin Bashar al-Assad, në kushtet kur Moska, Ankaraja dhe Teherani po i udhëheqin këto bisedime? A ka optimizëm për armëpushim pas 6 vitesh përplasje të armatosura?

Karpushin: Sot besoj se askush nuk ka as të voglin dyshim se takimi i fundit në Astana ka hapur një kapitull të ri në zgjidhjen e krizës siriane. Arritja më e madhe është se në këto bisedime kanë marrë pjesë jo vetëm përfaqësues të opozitës politike, por edhe të grupeve të armatosura, që luftojnë kundër Presidentit Asad dhe që deri tani kanë bojkotuar konferenca ndërkombëtare për Sirinë.

Gjithashtu, në Astana është rikonfirmuar armëpushimi i vendosur me ndërmjetësim të Rusisë dhe Turqisë më 30 dhjetor 2016. Është rritur numri i pjesëmarrësve të tij si dhe zona e veprimit, kryesisht falë angazhimit të opozitës së armatosur. Natyrisht, ky armëpushim nuk do të vlejë për grupet terroriste, si ISIS-i, ish-“Fronti Al-Nusra” dhe të tjera, ndaj të cilave lufta vazhdon. Po ashtu, është e rëndësishme që Rusia, Turqia dhe Irani kanë vendosur të krijojnë një mekanizëm tripalësh për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe hetimin e rasteve të shkeljes së tij. Dhe kjo marrëveshje tashmë ka kaluar drejt zbatimit: ditën e hënë, më datë 6 shkurt, në Astana u mbajt mbledhja e parë e ekspertëve në kuadër të këtij mekanizmi.

Nuk mund të mos theksoj se në Astana është paraqitur projekti i kushtetutës siriane i përgatitur nga ekspertët rusë dhe arabë, rreth të cilit po qarkullojnë sot spekulime të ndryshme. Madje, është shprehur mendimi se Rusia gjoja po përpiqet t’i imponojë këtë dokument Sirisë, çka nuk është aspak e vërtetë. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë bindjes se është populli sirian ai që duhet të vendosë për të ardhmen e Sirisë. Pra, detyra jonë është thjesht të aktivizojmë dialogun politik ndërsirian në kuadër të implementimit të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parashikon ndër të tjera edhe hartimin e kushtetutës së re të vendit. Rusia vetëm ka propozuar disa variante të mundshme, duke shpresuar në fillimin e një debati të gjerë për këtë çështje.

Mendoj se sot mund të themi me siguri të plotë që pala ruse po e ushtron me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë efektive rolin e saj ndërmjetës në zgjidhjen e konfliktit sirian. Me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Rusisë është vendosur armëpushimi, kësisoj gjakderdhja është ndërprerë dhe po krijohen kushte për zgjidhjen politike të krizës dhe për fitoren përfundimtare ndaj grupeve terroriste në Siri.

Një pyetje për konfliktin e Detit Jugor të Kinës. Kemi parë që Rusia ka mbështetur Pekinin duke kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake në këtë hapsirë ujore, por shohim se Donald Trump duket se nuk ka ndërmend të lëshojë pe për këtë cështje. Mendoni se do të mbajë qëndrim Moska për këtë cështje?

Karpushin: Ky rajon që përmendët nuk është shumë i afërt me Shqipërinë, as me Rusinë. Gjithsesi, Ministria e Jashtme e Rusisë po e ndjek me shumë vëmendje situatën në Detin e Kinës Jugore, duke e parë si një faktor të rëndësishëm që ndikon në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit Aziatiko-Paqesor.

Rusia nuk është pjesëmarrëse në kontestet territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe nuk ka ndërmend të jetë e përfshirë në to. Stërvitjet ushtarake që ju përmendët nuk kanë asnjë lidhje me konfliktin në fjalë, pasi zhvillohen në mënyrë sistematike, pra çdo vit, që prej vitit 2012. Pala ruse beson fort se angazhimi në situatë i aktorëve të tretë, sidomos nga jashtë rajonit, veç do t’i shtonte tensionet në këtë zonë. Duke nisur nga këto arsyetime, vendi ynë parimisht nuk mban anën e askujt. Bëjmë thirrje që kontestet aktuale të zgjidhen nëpërmjet bisedimeve, në mënyrë politike dhe diplomatike, duke shmangur ndërkombëtarizimin e konfliktit.

Si bazë për këto përpjekje duhet të shërbejë Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit e vitit 1982 dhe Deklarata e Sjelljes së Palëve në Detin e Kinës Jugore, nënshkruar midis Kinës dhe Asociacionit të Shteteve të Azisë Juglindore në 2002. Po ashtu, dihet që Kina bashkë me këtë Asociacion kanë nisur bisedimet mbi hartimin e një kodi sjelljeje në Detin e Kinës Jugore, i cili do të përmbajë një sërë detyrimesh ligjore. Në këndvështrimin e palës ruse, pikërisht kjo rrugë, pra rruga e bisedimeve, mund t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje reciprokisht të pranueshme.

Flasim pak për marëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Rusisë. Çfarë mund të thoni për to? A ka hapsirë për përmirësim?

Karpushin: Kam dy vite e gjysmë që punoj në Tiranë dhe në fakt e kam thënë disa herë më parë që marrëdhëniet Rusi-Shqipëri nuk janë në ditët e tyre më të mira. Dhe ende nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim rrënjësor pozitiv të situatës. Ka shumë probleme, nga të cilat kryesorja është mungesa e një dialogu të mirëfilltë për një sërë çështjesh aktuale, zgjidhja e të cilave do t’u përgjigjej interesave të të dyja vendeve. Besoj se bini dakord se është pak e vështirë të flasim për perspektivat e bashkëpunimit midis dy shteteve, të cilat deri tani as nuk e kanë nënshkruar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, dokumentin bazë që duhet të shërbejë si themel për zhvillimin e gjithë spektrit të marrëdhënieve dypalëshe. Edhe pse teksti i Traktatit u bë gati që në vitin 1995 dhe u parashkrua nga dy ministra të jashtëm në 2004.

Në të njëjtën kohë do të ishte ekzagjerim po të flisnim për ngrirjen e plotë të kontakteve, pasi kemi pa dyshim dhe sinjale inkurajuese, si për shembull caktimi i bashkëkryetarit të Komisionit Ndërqeveritar, për palën shqiptare, dhe nisja e përgatitjeve për sesionin e radhës të këtij Komisioni. Kemi parë zhvillime pozitive edhe në fushën humanitare. Vitin e shkuar Ambasada ka zhvilluar shumë aktivitete kulturore, si koncerte, shfaqje filmash, mbrëmje letrare, prezantimi i kuzhinës ruse, etj. Të gjitha këto janë pritur me shumë interes dhe ngrohtësi nga publiku shqiptar.

Një arritje serioze për ne ka qenë vizita e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në Shën Petërburg në dhjetor të vitit të shkuar dhe nënshkrimi i Programit trevjeçar të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të kulturës së dy vendeve. Tani është shumë e rëndësishme që ky dokument kuadër të zbatohet në praktikë.

Rusia bashkëpunon me Shqipërinë edhe në çështjet e shkollimit të të rinjve shqiptarë pa pagesë në universitetet e vendit tonë. Para dy javësh kemi shpallur fillimin e aplikimeve për përfitimin falas të bursave studimi për vitin e ardhshëm akademik. Sivjet Shqipërisë do t’i akordohen 43 bursa. Dëshiroj të përfitoj nga kjo mundësi për të ftuar edhe një herë personalisht maturantët dhe studentët shqiptarë që të marrin pjesë në këtë program. Më shumë informacion mbi procesin e aplikimit mund të gjeni tek faqja zyrtare e Ambasadës. Nxitoni! Afati i fundit është data 1 mars.

Vazdojnë të funksionojnë edhe kurset e gjuhës ruse të organizuara me mbështetjen e Ambasadës, ku tashmë kemi rreth 300 studentë. Dhe gjëja më e këndshme është se na vijnë gjithnjë e më shumë aplikime të reja nga ata që dëshirojnë të regjistrohen në këto kurse. Për vitin e ardhshëm mësimor kemi marrë akoma 100 aplikime të reja. Ky interes i madh i shqiptarëve ndaj gjuhës dhe kulturës ruse na krijon optimizëm që vendet tona do të mund të përparojnë edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit, si ekonomia dhe tregtia.

Është përfolur shumë në muajt që kemi lënë pas për mbledhjen e rradhës të Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, e cila ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tekniko-shkencor mes dy vendeve. Në cilën fazë është ky projekt?

Karpushin: Bindja ime e palëkundur është se Komisioni Ndërqeveritar është një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike, tregtare dhe tekniko-shkencore, i cili për fat të keq nuk është përdorur prej 8 vitesh. Mbledhja e fundit u mbajt në Moskë në vitin 2009. Ndërprerja u zgjat tepër dhe besoj se rifillimi i punës së këtij forumi është një shans i mrekullueshëm që të ulemi bashkë, të analizojmë të gjithë spektrin e marrëdhënieve tona, të biem dakord për hapat e mëtejshëm dhe të identifikojmë projekte me perspektivë të përbashkët. Gjithashtu, është një shans më shumë për të tërhequr në Shqipëri investitorë të mëdhenjë dhe seriozë nga Rusia.

Aktualisht po negociojmë me palën shqiptare organizimin diku nga fillimi i muajit prill të një takimi bashkëkryetarësh të Komisionit, Zv.Ministrit të Parë të Drejtësisë së Rusisë z. Sergej Gerasimov dhe Zv.Ministres së Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë znj. Adela Karapici. Gjatë këtij takimi duhet të ngrihen grupet e punës, të cilat sipas profileve të tyre do të angazhohen direkt në përgatitjen e axhendës së sesionit të ardhshëm vjeshtën e këtij viti, pas zgjedhjeve dhe pas formimit të një qeverie të re shqiptare. Në kuadër të Komisionit kemi në plan të zhvillojmë dhe një forum biznesi. Jam i bindur se rifillimi i punës së Komisionit Ndërqeveritar do të sjellë intensifikimin e marrëdhënieve tona bilaterale në të gjitha sferat pa përjashtim!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme