Kosova merr hua për asfalt e hekurudhë

15:09 | 25 Maj 2015
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës e ka bërë gati listën e projekteve infrastrukturore që duhet realizuar në këtë mandat.

Lista e projekteve fillon me një linjë hekurudhore që do të filloj nga Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë që do të shpie drejt kufirit me Serbinë, konkretisht në Merdare.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet ministri i financave Avdullah Hoti.

“Nga Hani i Elezit deri në Merdare, do të funksionalizohet dhe modernizohet hekurudha”, ka bërë të ditur Hoti.

Por qeveria e drejtuar nga Kryeministri Isa Mustafa ka edhe plane tjera.

Rruga nga Ferizaj deri tek Dheu i Bardhë në kufi me Serbinë do të kthehet në autostradë moderne.

Planet janë që të vazhdohet me punime edhe në rrugën Prishtinë-Pejë e të shtrihet edhe hekurudha Prishtinë-Podujevë.

Për asnjërin nga këto projekte nuk ka para në arkën e shteti.

Për realizimin e tyre parashihet që të merren hua nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Ministri Hoti, ka treguar se adresa e parë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo do të rris edhe më tej nivelin e borxhit të shtetit. Aktualisht ky borxh është gati sa gjysma e buxhetit të Qeverisë së Kosovës.

Në fund të muajit dhjetor 2014, plotë 582.87 milionë euro ishte shuma të cilën qytetarët duhet ta paguajnë me taksat e tyre institucioneve financiare vendëse e ndërkombëtare.

Nga kjo shumë borxhi ndërkombëtar është 326.35 milion euro ndërsa borxhi i brendshëm është 256.52 milion euro.

Megjithatë, duket se kjo është forma e vetme për të financuar projektet e listuara, pasi Kosova ka nevojë për fonde të reja.

Për t’i siguruar ato Gazeta Fjala pati raportuar se Qeveria e Kosovës shumë shpejtë do të nisë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për të marrë një kredi qindra milionëshe.

Në Ministrinë e Financave tashmë kanë filluar përgatitjet për të rritur nivelin borxhit publik. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti.

Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur qeverinë për zhvillimin e vendit. Ai ka thënë se programi i FMN-së, i mundëson Kosovës hyrjen në kredi me kushte të volitshme dhe afatgjate, për financimin e projekteve madhore.

“Në këtë drejtim, do të rishikohet rregulla fiskale sa i përket shpenzimeve buxhetore për të mundësuar investime kapitale në projekte në sektorë si bujqësi, infrastrukturë dhe furnizim me ujë, të cilët projekte krijojnë mundësi zhvillimore dhe punësim. Në veçanti, projektet e ujitjes së tokave bujqësore krijojnë mundësi për rritje të prodhimtarisë bujqësore për të zëvendësuar importin e madh të produkteve ushqimore”, ka thënë Hoti.

Shumë shpejtë në Kosovë ka paralajmëruar një vizitë zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Min Zhu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme