Dema: Në UP s’ka avancime pa meritë, as me ndërhyrje politike

12:33 | 5 Shkurt 2017
Arbresh.info

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Marjan Dema shprehet i bindur se prej ardhjes së tij në krye të UP-së janë vënë standarde të cilat janë të pakapërcyeshme për gjithë stafin që synon avancimin, derisa, sipas tij, standardet e krijuara, mbajnë larg edhe ndërhyrjet politike.

Rektori Dema thekson në një intervistë për KosovaPress se kur ka ardhur para dhjetë muajve në krye të Universitetit të Prishtinës, e ka gjetur atë në një gjendje të rënd, gati për të hyrë në listën e zezë, ku nuk do të pranonte askush të bashkëpunonte me të.

I pari i UP-së shton se pas ardhjes së tij si rektor, bashkë me ekipin e tij kanë vendosur standardet me të cilat do të matin cilësinë dhe do të mundësojnë avancimin e stafit akademik sipas kritereve.

Ai me bindje thotë se kurrë prej se është në krye të UP-së nuk ka ndërhyrë për të avancuar dikë pa meritë.

 

“Kurrë në jetë nuk kam ndërhy për asnjë pranim të studentëve, asnjë avancim, asnjë pranim as të stafit të ri, absolutisht jam duke folur haptas. Bukuria e këtij menaxhmenti është se asnjë agjendë nuk e kemi pos një, Universitetin e Prishtinës, nuk kemi ardhur për kurrfarë agjende as personale, as politike, as grupore. Kurrë nëpër takimet tona nuk flitet për individin, por flitet për standarde, për norma”, thekson Dema.

Rektori Dema shpjegon edhe raportimet për avancime të kundërligjshme, ani pse nuk preferon t’i quaj të tilla. Ai thotë se nuk lejon në asnjë mënyrë avancime pa meritë, sepse sipas tij, këtë nuk e lejojnë standardet e krijuara, derisa për mundësinë që ndonjëri të bëjë avancime të tilla, kërkon që t’i deponojnë me fakte ato.

 

“Ende nuk janë kryer procedurat, ende nuk është kryer ajo mbledhje, një pjesë e kemi shtyrë, ende nuk është kryer, ende kemi komisionin për ankesa, kthehen në qoftë se…do të shkoj edhe një herë në fakultete ka shumë procedura, e të kualifikohet në mënyrë të paligjshme po më duket…Unë mund të them me përgjegjësi se askush nuk ka kaluar pa e plotësuar qatë minimumin e standardeve tona, në qoftë se ka kaluar dhe gjendet, le ta sjellin, kemi organet, jo unë”, është shprehur ai.

Dema ka shpjeguar edhe rastin e mos pranimit të një asistenteje në Fakultetin e Mjekësisë, e cila u raportua në media se kishte kualifikimet me shumë se sa kundër kandidati i saj.

 

“Për një lëndë ka qenë kandidati i cili e ka mbajtur atë lëndë, u shpall konkursi dhe Rozafa i ka konkurruar atij në lëndë, bile unë nuk e njoh atë kandidatin dhe kurrë në jetë se kam takuar. Natyrisht recenzioni iu ka shkruar Rozafës edhe ka ardhur lënda nëpër procedurat që thash, në senat, dytë i kanë plotësuar kushtet, ka qenë, sa di unë, një diferencë 0.2 e notës mesatare. Asistenti që ka qenë me thirrje asistent, ndërsa Rozafa ka qenë asistente e re, ai ka qenë në lëndë të vet, ajo e ka kryer në Universitet të Tetovës, ndërsa, ky në UP dhe ka qenë student i dalluar, ka ardhë në senat është bërë debat, dhe votimi ka qenë që senati u ia ka dhënë atij kandidatit që nuk ia di as emrin”, ka shpjeguar Dema.

Pas këtij rasti, Dema thotë se kandidatja Rozafë Koliqi ka sabotuar punën dhe për dy muaj nuk ka mbajtur mësim për çka janë detyruar të marrin masa. Ndërsa, ajo ua ka sjell edhe Agjencinë Anti-Korrupsion, për të cilin Dema thotë se nuk ka lëndë për trajtim dhe nuk e din pse ka shkuar.

 

“Ma kanë sjell edhe Agjencionin Anti Korrupsion për një rast që senati ka vendosur, ka lëndë aty, dhe dalin mediat që UP-në është duke e hulumtuar AKK-ja për zgjedhje akademike që unë nuk e di a meriton a nuk meriton”, shton ai.

Rektori i UP-së, Marjan Dema ka mohuar se politika ndërhyn në institucionin që ai udhëheq, duke thënë se këtë e ka eliminuar duke vënë standarde.

 

“Me vjen keq të them prej ministrit Enver Hoxhaj, por derisa bashkëshortja e tij nuk është avancuar për shkak se i ka pasur punimet me vonë të publikuara. Enver Hoxhaj është profesor shumë i respektuar, është që sa vjet në politikë, ministër, e nuk është avancuar. E nuk janë avancuar dekanë, unë edhe me dashtë nuk mund t’i ndihmoj as Hashim Thaçit, as Isa Mustafën, askujt sepse mua standardet nuk me lejojnë”, ka thënë Dema.

Dema ka folur edhe për rankimin e UP-së si i 3790-ti, 88 vende më lartë se sa herën e fundit kur është bërë rankimi i universiteteve, duke thënë se institucioni që ai udhëheq po shkon drejt një universiteti elitar.

 

“Në qoftë se na krahason me Universitetin e Zagrebit të cilët e kanë festuar 400 vjetorin, ose Ljubjana ku e di 300 vjetorin, apo Beogradin sigurisht 300 vjetorin nuk e di, është kërkesë tepër e madhe, por, përgjigjja është se ne synojmë dhe do të arrijmë që ajo diferencë të zvogëlohet dhe për ne për këtë fillim jemi avancuar për 88 vende, jemi diku 3 mijë vende para Universitetit të Tiranës që ka një traditë shumë me të gjatë se sa ne, pra mos të kërkojmë të krahasohemi me diçka që është e pakrahasueshme”, ka shtuar Dema.

Gjatë mandatit të tij prej dhjet muajve, Dema tha se ka eliminuar të gjitha listat e revistave të dyshimta në të cilat janë botuar më herët publikime nga profesorët me të cilat pastaj janë avancuar.

Dema ka theksuar se për ata që janë avancuar më herët përmes publikimit në revista të dyshimta, nuk do të ndërmarrin asgjë, sepse qëndrimi i tyre si menaxhment ka qenë që të mos kthehen prapa, por të vazhdojnë përpara duke vënë kritere dhe standarde.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme